Ndizet flakadani i “Flakës së Janarit 2015”

14.01.2015 (komentet: 0)

 

 Është ndezur sonte në mbrëmje para Teatrit të Qytetit në Gjilan flakadani i “Flakës së Janarit 2015”, ku edhe është improvizuar një skenografi që simbolizon sakrificën e dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit.

 

Në emër të kryetarit Lutfi Haziri, ndezjen e flakadanit e ka bërë kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku Rexhepi dhe djali i dëshmorit Mulla Idriz Gjilanit, Isa Mullaidrizi. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, zyrtarë komunal dhe përfaqësues nga jeta kulturore e Gjilanit.

“Ndihem shumë e privilegjuar që m’u dha rasti ta ndezi Flakadanin, duke e ditur se “Flaka e Janarit” është një manifestim mbarëkombëtar në shenjë respekti për të rënët për liri. Falë veprës së dëshmorëve, ne sot jetojmë të lirë”, tha me këtë rast kryesuesja Bunjaku Rexhepi.

Ndërsa përgjegjësi i Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport Bujar Haziri, është shprehur se sivjet ky manifestim sivjet i kushtohet 70-vjetorit të masakrës së Gjilanit dhe të gjithë të rënëve që nga koha e lavdishme e Skënderbeut deri tek lufta e fundit.

“E veçantë e Flakës së Janarit në këtë vit është sepse i kushtohet masakrës së Gjilanit, ku humbën jetën mbi 8 mijë qytetarë. Me 22 dhjetor kemi filluar me nderimin e këtyre njerëzve dhe me iniciativën e kryetarit Haziri Gjilani është nderuar për sakrificën nga presidentja e Republikës me “Urdhërin e Lirisë”, sikurse edhe dëshmorët: Esat Berisha, Halim Orana dhe më herët Mulla Idriz Gjilani. Gjilani ka dhënë shumë për të gëzuar ditët e sotme. Ky manifestim i kushtohet të gjithë të rënëve që nga koha e lavdishme e Skënderbeut deri tek lufta e fundit”, ka thënë ai.

Në emër të familjes së dëshmorit Esat Berisha ka folur Jakup Berisha, i cili u shpreh se për të është nderë dhe privilegj që ka marrë pjesë në këtë manifestim mbarëkombëtar me vlera shumë të larta për të nderuar dëshmorët e kombit.

“Është moment sa i dhimbshëm, aq edhe është krenari sepse dihet që Gjilani i ka dhënë 8 mijë viktima për të gëzuar ditët e sotme. Besoj se ky manifestim do të jetë një udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme se si duhet kombi e atdheu”, ka thënë përfaqësuesi i familjes së kolosit të kombit Esat Berisha.

Agjenda e Manifestimit “Flaka e Janarit 2015” vazhdon me katër shtyllat e kulturës: artin pamor, artin letrar, artin skenik dhe artin muzikor.

Përndryshe, manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2015” ka nisur sot me vizitën e kryetarit Lutfi Haziri në kazermën e FSK-së, për të vazhduar me homazhe në varrezat e dëshmorëve e lapidarëve si dhe është organizuar pritje për familjet e dëshmorëve në sallën e Kuvendit Komunal./kokaj.net/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment