Nazmi Musa: Gjilani, model për arsim cilësor në nivel Republike

04.05.2016 (komentet: 0)

Investimet e pandërprera në infrastrukturë shkollore, cilësinë në rritje në arsim, disiplina nëpër shkolla, sukseset e nxënësve nëpër gara të ndryshme, janë elementet e fuqishme që kanë përcjellur arsimin e Gjilanit për periudhën janar – mars 2016, ka potencuar në konferencën me gazetarë, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa.

 

Lidhur me rritjen e cilësisë në arsim, drejtori Musa, ka thënë se kjo është arritur falë një analize të kujdesshme që është bërë në fillim të këtij viti shkollor dhe me hapat e ndërmarrë bashkërisht janë shënuar rezultate konkrete.

Ai shtoi se Gjilani tashmë  është model dhe pikë referente të një arsimi cilësor në nivel vendi dhe këtë vlerësim po e japin ekspertët vendor dhe organizatat e fuqishme ndërkombëtare.

“Me mbështetjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fillim të këtij viti shkollor kemi bërë analiza të detajuara që në cilësinë e arsimit të kemi performim sa më të mirë. Së bashku me GIZ-in, kemi organizuar trajnime, të cilat në fillim të vitit 2016 kanë dhënë rezultatet e para në ngritje të cilësisë. Sot të gjithë mësimdhënësit e shkollave tona kanë përgatitjen adekuate për punën që e bëjnë në shkolla dhe detyra që kanë po dëshmohen me suksese”, tha drejtori Musa.

Ai, gjithashtu, ka potencuar suksesin e nxënësve në gara të ndryshme si ato komunale shtetrore apo edhe ndërkombëtare, duke potencuar faktin që nxënësit e Gjilanit janë pothuajse në çdo garë ata që ndajnë me moshatarët e tyre, tri vendet e para.

Edhe me investimet në infrastrukturën shkollore Gjilani është në rrugë të mbarë sepse po punohet gjithandej në krijim të kushteve më të mira për nxënësit, e që numri i tyre është mbi 18 mijë.

“Këto ditë në infrastrukturën shkollore presim përurimin e shkollës së re “Bajram Curri” në fshatin Shurdhan. Gjithashtu, është duke vazhduar ndërtimi i dy sallave sportive të edukatës fizike në shkollën “Abaz Ajeti” në qytet dhe shkollës “Liria” në fshatin Pogragjë. Ndërtimi i çerdhes në lagjen “Dardania” është në tenderim dhe presim përmbylljen e procedurave tenderuese në mënyrë që të nisin punimet më pas edhe atje. Me mbarimin e vitit shkollor, do të filloj edhe projekti tjetër me rëndësi ai për ndërtimin e kampusit të shkollave të mesme”, ka thënë drejtori Musa.

Musa ka informuar se së bashku me Bankën Gjermane për Zhvillim do të bëhet renovimi i shkollës në fshatin Përlepnicë, në Bresalc dhe në Livoç të Ulët.

Drejtori arsimit në Gjilan, Nazmi Musa, ka falënderuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e madhe Ministrinë e Arsimit, USAID-in, Kolegjet Private, GIZ-in, Caritasin Zviceran, Save the Children, Drejtorinë e Arsimit të Bursës, Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët e tjerë të shumtë që janë të angazhuar për arsimin dhe në ngritjen, suksesin, cilësinë, disiplinën në arsimin e Gjilanit.

 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment