Muzeu i Gjilanit hapet në fund të vitit

12.11.2015 (komentet: 0)

Muzeu i Gjilanit hapet në fund të vitit

Javën që vjen do të bëhet e ditur se kur do të hapet Muzeu i Gjilanit, për të cilin tash e sa vjet janë duke pritur eksponatet, të cilat nga një depo ishin zhvendosur në një dhomë të objektit të muzeut. Mbi 300 eksponate që datojnë që nga shekulli i dytë para epokës së re e deri te objekte të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar krahas objektit disa prej tyre presin edhe dorën e profesionistëve, pasi kanë nevojë që të restaurohen. Ndërkaq, disa prej tyre nuk do të ekspozohen për vizitorët, kjo pasi disave prej tyre u mungojnë të dhënat.  

 

Hapja e Muzeut në Gjilan ishte pritur me admirim nga qytetarët e Gjilanit, ngase një i tillë i ka munguar jo vetëm Gjilanit, por edhe tërë rajonit.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në ditët e para kur e kishte marrë mandatin, kishte përmbushur premtimin elektoral dhe kishte lëshuar ndërtesën e kryetarit për nevoja të muzeut, por që nga atëherë, përpos që u rregullua e u adaptua objekti, nuk pati ndonjë hap drejt hapjes së muzeut.

Mbi 300 eksponate vazhdojnë të qëndrojnë në ambiente të ndërtesës së Muzeut, eksponate këto që datojnë që nga shekulli i dytë para epokës së re e deri te objekte të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Të gjitha këto objekte e eksponate, ishin mbledhur nga punëtorët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, e cila i ka zyrat në objektin e muzeut dhe e cila ka bërë një punë të madhe jo vetëm në mbledhje, seleksionim dhe punë të madhe në terren, por ka evidentuar secilin objekt me vlerë në rajonin e Gjilanit, i cili përfshin një territor shumë të madh.

Artan Hoxha, drejtor në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, thotë se të gjitha këto objekte janë mbledhur nga qendra gjatë vizitave që janë bërë në terren, dhuratave të ndryshme, gjurmimeve arkeologjike dhe në forma të tjera. Ai thotë se në vitin 2014 kishin pasur një projekt për inventarizimin e koleksionuesve privatë. Ai tregon se u gjetën shumë njerëz dhe ka prej tyre që dhuruan eksponate, disa të tjerë u deklaruan se do t’i dhurojnë eksponatet kur të hapet muzeu, pati të tjerë që kërkojnë t’i shesin eksponatet që i kanë, derisa ka edhe të atillë që thanë se në asnjë formë nuk do t’i japin eksponatet.

“Eksponatet që i ka muzeu janë të vendosur në një depo, që në fakt është një dhomë e ndërtesës së muzeut”, thotë Artan Hoxha, drejtor i QRTK-së, sipas të cilit eksponatet janë në gjendje relativisht të mirë, por se ka edhe të atilla që kërkojnë dorën e profesionistit për ndërhyrje. Hoxha pranon se jo të gjitha objektet janë për ekspozim, sepse ka fragmente që nuk dihet se cilës kohë i përkasin, pastaj ka eksponate që kanë nevojë që të restaurohen në mënyrë që të jenë të gatshme për vizitorët.
 

Image

Hoxha thekson se nuk është problem që ato të barten dhe se pritet vetëm hapja e muzeut për vizitorë dhe shton se punët për hapjen e muzeut po vazhdojnë. Tashti, vendimi për hapjen e muzeut është marrë, objekti ekziston, projekti për adaptim ka përfunduar dhe vetëm pritet pranimi teknik që do të bëhet shumë shpejt dhe pas saj vjen qasja e njerëzve profesionistë në eksponate dhe më pas edhe sjellja e inventarit për eksponate.

Pjesa e fundit ajo e hapjes së muzeut, mbetet përgjegjësi e Komunës, e cila gjithsesi se duhet t’i caktojë personat përgjegjës, thotë Hoxha, duke shtuar se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore të cilën ai e drejton edhe në të ardhmen mbetet e gatshme që të ndihmojë hapjen e muzeut në të gjitha aspektet, me qëllim që ai të funksionojë sa më mirë.

Bujar Haziri, udhëheqësi i Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë për “Zërin” se  sipas dinamikës së punimeve Muzeu i Gjilanit mund të hapet në fund të 2015-s. “Jemi në fazën e pranimit teknik të objektit, ashtu siç është duke shkuar plani, diku fundi i vitit do e gjej të hapur Muzeun e Gjilanit”, është shprehur Haziri. Ai ka treguar se javën që vjen kanë një takim me Ministrinë e Kulturës, dhe pas këtij takimi do të dihen hapat konkretë që do të ndërmerren me Muzeun e Gjilanit. “Javën tjetër kemi një takim edhe me Ministrinë e Kulturës, kur do të vendosen edhe kur do të hapet muzeu. Ndoshta jo dita, por java do të dihet”, ka thënë Bujar Haziri, sipas të cilit ka një vit e gjysmë që eksponatet janë larguar nga depoja dhe janë vendosur në një dhomë të objektit. “Gjendja e eksponateve është e mirë, por normalisht që kërkojnë një trajtim profesional”, ka thënë Haziri, derisa ka treguar se bashkë me profesionistët do t’i trajtojnë eksponatet, do të intervenojnë nëse është e nevojshme dhe do të bëjnë renditjen e tyre./zeri/

Kthehu mbrapa

Shto koment