Mustafa kritik ndaj ministrave dhe deputetëve të Anamoravës

23.09.2013 (komentet: 0)

Gjilan – Qemajl Mustafa ka thënë se komunat nuk e dinë se sa buxhet do t`u takojë për investime kapitale nga ministritë përkatëse. Investimet nëpër komuna ndahen sipas shijes së ministrave. Mustafa është treguar kritik edhe ndaj deputetëve të regjionit të Gjilanit në Parlamentin e Kosovës, të cilët nuk kanë lobuar sa duhet për komunën e tyre, ndërsa lavdërohen me disa projekte të vogla.

Në organizim të Zyrës Regjionale të OSBE-së, të hënën në Gjilan është mbajtur një punëtori për përgatitjen e buxhetit komunal 2014, ku kanë marrë pjesë Komiteti për Politikë dhe Financa si dhe Komisioni për hartimin e buxhetit. Buxheti komunal pritet të miratohet të martën në asamblenë komunale, e cila mban seancën e fundit në këtë përbërje.

Drejtori Regjional i Zyrës së OSBE-së në Gjilan, Ulrih Bifar, ka thënë se qytetarët kanë nevojë të dinë se si përgatitet buxheti dhe si ndahet pastaj ai, sikurse që qeveritarët e kanë për obligim që t`iu tregojnë qytetarëve se çka mund të bëhet me këtë buxhet e çka nuk mund të bëhet. 
“Roli ynë si OSBE nuk është që t`iu mësojmë juve se çka duhet të bëni, por vetëm t`ju japim mundësinë përmes këtyre punëtorive që të shprehni mendimet për planifikimin buxhetor”, ka thënë Bifar. 

Kurse Basri Sejdiu, përfaqësues i OSBE-së, ka thënë se komuna e Gjilanit ka bërë një progres të vogël sa i përket përgatitjes së buxhetit, në krahasim me vitin e kaluar, por duhet të kërkojë mundësi tjera për organizimin sa më të mirë të dëgjimeve publike, për të nxitur pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve, ndoshta edhe duke organizuar takime nëpër lokalitete. 

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ka thënë se me këtë buxhet që kanë komunat, mundësitë për zhvillim janë të vogla. “Komunat nuk e dinë se sa buxhet do t`u takojë për investime kapitale nga ministritë përkatëse. Investimet nëpër komuna ndahen sipas shijes së ministrave”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se ai ka insistuar disa herë që kjo çështje të rregullohet me ligj. 

Duke thënë se komuna e Gjilanit, kurrë nuk i ka marrë mjetet që i takojnë, Mustafa ka thënë se ndarja e investimeve kapitale duhet të bëhet në bazë të një formule të caktuar dhe jo sipas preferencave tjera. 

Mustafa është treguar kritik edhe ndaj deputetëve të regjionit të Gjilanit në Parlamentin e Kosovës, të cilët nuk kanë lobuar sa duhet për komunën e tyre, ndërsa lavdërohen me disa projekte të vogla. 

Kurse Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa, ka thënë se me këtë buxhet nuk është lehtë të dalësh para qytetarëve dhe të bësh premtime, të cilat pastaj nuk mund të realizohen, duke nënvizuar se investimet kapitale mbeten pak a shumë në nivelin e viteve të kaluara. Edhe Nuhiu është treguar i ashpër me ndaj deputetëve, duke thënë se pret që populli t`i ndëshkojë në zgjedhjet e ardhshme me votë për këtë pasivitet.

Pjesëmarrësit tjerë në këtë debat të organizuar nga OSBE, kanë thënë se buxheti është i kufizuar, por edhe më këtë buxhet mund të bëhet më shumë. Fazli Abdullahu ka thënë se nëse nuk bëhet ajo që premtohet, qytetarët e humbasin besimin te qeverisja. 

Edhe Arben Mehmeti e sheh çështjen e besueshmërisë si arsye për interesimin e vogël të qytetarëve për të marrë pjesë në dëgjimet publike për buxhetin. “Nëse qytetari mungon në dëgjime, atëherë Komuna duhet të gjejë rrugë që t`i ofrohet atij”, ka thënë ai.

Si arsye të humbjes së besimit në institucione, Arben Maliqi e sheh edhe decentralizimin, i cili, siç thotë e ka larguar qytetarin e fshatit të tij Kosaqë për 20 kilometra nga shërbimet komunale, duke e bashkuar me Artanën, në vend se të lë me Gjilanin, që e ka afër 2 kilometra. Një arsye tjetër, sipas tij, është se idetë e qytetarit, mund të dëgjohen e evidentohen, por nuk realizohen në të shumtën e rasteve. 

Shumë më pozitivist u shfaq Elisah Ymeri, i cili ka thënë se nuk duhet të harrohet se në këtë vend gjithçka filloi nga zeroja, pas luftës dhe tani jemi në një pozitë të kënaqshme. Duhet të jemi të vetëdijshëm se të gjitha kërkesat e qytetarëve nuk është e mundur të realizohen për shkak të limiteve buxhetore, por kjo nuk është arsye për të mos marrë pjesë në dëgjime publike. /rajonipress/ 

Kthehu mbrapa

Shto koment