Musa: Gjilani krenohet me arsimin dhe rezultatet në arsim

22.10.2015 (komentet: 0)

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, ka mbajtur sot konferencë të rregullt për media, në të cilën ka prezantuar punën nëntë mujore të dikasterit më të madh në nivelin lokal.


Ai ka thënë se për një zhvillim sa më cilësor e bashkëkohor të procesit mësimor, DKA-ja ka hartuar politikat dhe objektivat zhvillimore për ngritjen e cilësisë dhe reformave në arsimin  e Komunës së Gjilanit, përmes projekteve e në bashkëpunim me MASHT-in, USAID-in, GIZ-in, Save the Children, KCIC, Qendra për Studime të Avancuara, FIT, KEC, Institutin Pedagogjik i Kosovës, ku është mundësuar ngritja e kapaciteteve të personelit arsimor në zbatimin e metodologjive të reja bashkëkohore për mësimdhënie.

Musa, në këtë konferencë ka thënë se puna dhe angazhimi që është bërë për këto dy vjet, është pakrahasueshëm më mirë se vitet dhe qeverisjen e mëparshme.

“Puna që është bërë për këto dy vjet, e cila do të vazhdoj edhe më tutje sipas planifikimeve tona, është pakrahasueshëm më mirë se vitet paraprake dhe qeverisjet e mëparshme, sikur që ka edhe shumë për tu bërë, por, si drejtori, në mbështetje të fuqishme edhe nga kryetari Haziri, gjendjen në këtë dikaster do ta përmirësojmë edhe më tutje, drejtë modernizimit dhe ngritjes së mëtutjeshme të cilësisë në arsim”, ka thënë drejtori.

Më tej Musa ka folur edhe për suksesin e nxënësve në testin e maturës dhe arritshmërisë, që dëshmojnë për sukses shumë të mirë të nxënësve tanë në nivel vendi.

“Testi i maturës këtë vit, ka shkuar shumë mirë dhe rezultatet janë mjaftë të mira, kur bëhen krahasime në nivel vendi. Këto rezultate shihen edhe në raporte të ndryshme dhe në gara shtetrore e ndërkombëtare, ku nxënësit e Gjilanit kanë zënë vendet e para, dyta e treta. Përgatitjet janë përherë në funksion të përmirësimit dhe ngritjes së cilësisë, në mënyrë që të kemi kualitet edhe më të madh në shkollat tona”, tha drejtori Nazmi Musa.

Drejtori Musa, gjithashtu tha se në këtë periudhë është bërë regjistrimi i nxënësve në klasat e para dhe të dhjeta, konform normativit nga Ministria e Arsimit.

“Regjstrimi i nxënësve në klasat e para dhe të dhjeta është bërë konform, normativit nga Ministria e Arsimit. Kemi nxënës më pak të regjistruar në klasën e parë, që kur krahasohet me vitin paraprak, diferenca është mbi 100 nxënës. Ndërsa, në klasat e dhjeta, nuk ka më klasa me më shumë se 32 – 35 nxënës, që për dallim prej viteve të tjera, kjo shifër në shumë klasa kalonte numrin 40 – 45 nxënës. Por, me mbështetjen e kryetarit këtë vit kemi rritje të numrit të nxënësve të regjistruar në shkollën e bujqësisë dhe agrobiznesit, kjo për shkakë të stimulimit të nxënësve të shkëlqyeshëm, me bursë komunale në këtë shkollë”, tha Musa.

Ai ka thënë se për vite me radhë kishim shkolla të mesme e fillore që ishin pa emërtime, ne këtë e kemi tejkaluar tashmë me sukses, duke i emërtuar të gjitha shkollat e Gjilanit, në mënyrë që ato shkolla të veprojnë më mirë e që ka ndikuar edhe në pavarësimin e tyre.

Përfundimisht, jam shumë i kënaqur me punën dhe angazhimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, sikur që në këtë periudhë prej nëntë muajsh, kemi arritur që ky dikaster i madh në bazë të punës dhe rezultateve që ka bërë, të jetë krenaria e Gjilanit.

Kthehu mbrapa

Shto koment