Musa: Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta, thirrje për përkrahje dhe solidaritet të të gjithë neve

03.12.2015 (komentet: 0)

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, për nderë të 3 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta, ka pritur sot fëmijët e klasave të veçanta të shkollave fillore të Gjilanit, të cilëve u ka uruar për këtë ditë, sikur që ka ofruar gatishmërinë e pakursyer të drejtorisë në mbështetje të këtyre fëmijëve dhe prindërve të tyre, në çdo moment kur kërkohet nga prindërit.


Musa ka thënë se qëllimi i Drejtorisë së Arsimit është, që vëmendja e opinionit shoqëror të përqendrohet mbi jetën e pavarur dhe të vlefshme të njerëzve me të meta mentale dhe fizike.

“Ne si Drejtori, jemi duke punuar gjithnjë në përmirësimin e kushteve dhe ambientit më të mirë në shkolla e konkretisht në klasat ku këta fëmijë mësojnë, sepse janë fëmijët tanë, të cilët përkundër që kanë një mungesë fizike apo tjetër, janë inteligjent dhe shumë të afërt me shokët apo shoqët e tyre. Është fat i madh që prindërit luajnë një rol shumë të madh në integrimin e fëmijëve, sepse pa gatishmërinë e fëmijëve do të ishte e pamundur që të integroheshin në mësime dhe në jetën e barabartë me moshatarët e tyre në shkollë”, ka thënë drejtori, Nazmi Musa.

Ai ka thënë se arsimi, edukimi dhe krijimi i kushteve për këta fëmijë nëpër shkolla është përgjegjësi e jona dhe në emër të kryetarit Lutfi Haziri, tha se janë të përkushtuar të bëjnë integrimin e këtyre fëmijëve në shoqëri.

“Dëshirojmë që ju si prindër, që jeni kohë më të gjatë me këta fëmijë, duhet të drejtoheni përherë në adresën e DKA-së, që të kërkoni mbështetjen profesionale nga ne, sepse jemi të përkushtuar dhe të gatshëm që në të gjitha format tu dalim në përkrahje”, ka thënë drejtori, Nazmi Musa, në fjalën e tij.

Me fjalë rasti para fëmijëve dhe të pranishmëve ka folur edhe Liridona Kosumi, kryesuese e grupit të kujdesit ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta në DKA, Festina Kurteshi, kryesuese e Asamblesë së Fëmijëve dhe Hajriz Ibrahimi, pediatër.

Ndërsa fëmijët kanë prezantuar punimet e tyre në fusha të ndryshme, gjatë këtij viti, të cilat ai kanë dhuruar DKA-së.

Ndryshe, më datën 3 dhjetor gjithandej botës shënohet dita ndërkombëtare e personave me nevoja te veçanta.

Kthehu mbrapa

Shto koment