Mirusha do të realizohet, duke u hequr nga tavolinat e Komunës dhe Qeverisë si problem

04.08.2015 (komentet: 0)

 

Për ti dhënë fund zhegitjes që është bartur me vite në projektin e lumit Mirusha në Gjilan, sot janë takuar kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, me bashkëpunëtorët e tyre, ku u pajtuan për finalizimin sa më të shpejtë të këtij projekti, por gjithashtu janë zotuar edhe për gjetjen e fondeve edhe për projektet e rregullimit të lumenjve të tjerë dhe kolektorit në një vlerë totale prej mbi 69 milion euro.

 

Gjithashtu në këtë takim është biseduar edhe për legalizim të ndërtimeve dhe projekte që kanë të bëjnë me mjedisin dhe planifikimin hapësinor.

Me këtë rast kryetari Haziri, ka falënderuar ministrin Agani, për angazhimin e tij në realizim të projektit të lumit Mirusha, me nënshkrim të memorandumit të mirëkuptimit për financimin dhe monitorimin e punëve në këtë projekt.

“Ministri Agani po tregon kujdes të veçantë për projektet dhe programet e Komunës së Gjilanit që lidhen me ambientin, me planifikimin hapësinor dhe me përgjegjësi të tjera që ka ministria që e drejton. Ministri Agani e ka zgjidhur nyjën e “kordonit”, sa i përket lumit Mirusha në Gjilan, duke e nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Komunën dhe duke ndarë përgjegjësitë mes dy institucioneve në nivelin qendror dhe atë lokal. Ne tani do të fillojmë fazën tjetër të punimeve në shtratin e lumit Mirusha. Gjithashtu edhe programit tjetër për rregullimin e shtratit të lumit “Stanishorka” dhe lumenjve e përroskave që derdhen në lumin Morava në Gjilan, pastaj ndërtimi i kolektorit të ri dhe tretmani i ujërave të zeza”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Haziri.

Ai ka thënë se edhe me ndërtimet ilegale dhe procesin e legalizimit të tyre, janë duke punuar me përkushtim në krijim të zgjidhjeve më të mira dhe krijim të kushteve për qytetarët.

Ndërsa në fjalën e tij ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka thënë se koordinimi mes dy niveleve të qeverisjes është me të vetmin qëllim finalizimin sa më të shpejtë të projektit të lumit Mirusha që nevojiten 3.3 milion euro deri në finalizim të këtij projekti.

“Jemi koordinuar bashkërisht për vazhdimin e punimeve në realizimin e projektit të lumit Mirusha, që deri në finalizim të këtij projekti nevojiten 3.3 milion euro. Fillimisht ne kemi ndar një shumë të mjeteve dhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, do të kërkojmë mjete shtesë nga ministri të tjera për financim të punimeve. Gjithashtu e kam siguruar kryetarin Haziri, që do të angazhohemi bashkërisht për të gjetur mjete nga donatorët për financim të projektit të kolektorit të ujërave të zeza dhe projektet tjera të lumenjve në një vlerë prej rreth 69 milion euro, që do ta bëjmë në kuadër të projekteve që ne si ministri do t’i parashtrojmë në kuadër të projekteve që do të investohen nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai duke shtuar se kriteret kryesore ne do ti plotësojmë.

Edhe sa i përket çështjeve të planifikimit hapësinor është diskutuar për të mbështetur projekte në shërbim të qytetarëve të Komunës së Gjilanit.

“Aplikacionet për legalizim të objekteve pa leje do të nisin të pranohen në muajin shtator dhe trajtohen nga organet komunale që përsëri aktivitetet bashkërisht do t’i koordinojmë.  Gjithashtu me kryetarin Haziri kemi biseduar edhe për fushën e mjedisit, respektivisht menaxhimit afatgjatë të mbeturinave”, ka thënë ai, ndër të tjerash./kokaj.net/

 

Artikull i ngjajshëm:

ÇKA ME MIRUSHEN, NËSE KEMI TË RESHURA?

 

Kthehu mbrapa

Shto koment