Ministria e Arsimit: Lutfi Haziri nuk mund t’i kthejë shamitë në shkolla

08.11.2013 (komentet: 0)

Kandidati i LDK'së, Lutfi Haziri ka premtuar se me ardhjen në pushtet do të lejojë nxënëset e mbuluara të vijojnë mësimet nëpër shkollat publike të Gjilanit.


 

Por, ky premtim i tij nuk mund të realizohet për aq kohë sa është në fuqi udhëzimi administrativ, i cili ndalon bartjen e shamive nga nxënëset nëpër shkollat publike.

Edhe Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Arbër Morina ka thënë për Express se asnjë Kryetar i Komunave nuk mund të anashkalojë zbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore me të cilat rregullohet procesi mësimor në Kosovë.

"Askush nuk mundet të marrë një vendim të tillë për lejimin e shamive nëpër shkolla. Secili Kryetar i Komunës, përkatësisht Drejtor i Drejtorisë pranë Komunave të Kosovës janë të obliguara të respektojnë udhëzimin administrativ në fuqi", ka thënë Morina.

"Kryetari i Komunës nuk ka kompetencë me e ndryshu udhëzimin administrativ. Ministria e Arsimit është përgjegjëse për zhvillimin e politikave edhe për arsimin parauniversitar, edhe për arsimin universitar", ka shtuar ai.

Por, kandidati i LDK'së për Kryetar të Gjilanit ka thënë se me ardhjen në pushtet ky udhëzim nuk do të respektohet.

“Ai udhëzim administrativ është veç një copë letër, që unë nuk kam nevojë të zbatoj", ka thënë Haziri.

"Kushtetuta thotë se të gjithë fëmijët duhet të shkojnë në shkollë fillore, dhe nëse nuk shkojnë janë prindërit përgjegjës. Unë do të shkoj të ulem në bankë bashkë me ato vajza, nëse është e nevojshme”, ka thënë Haziri.

Deri më tash dhjetëra nxënëse janë përjashtuar nga shkollat publike për shkak se kanë bartur shamitë.

Në këtë debat është përfshirë edhe Presidentja Jahjaga, e cila ka thënë se nuk do të lejohet kurrsesi bartja e shamive nëpër shkollat publike.

Ndërkohë, Kryeministri Thaçi ka themeluar një Komision Këshillues për Liritë Fetare, i cili ka propozuar largimin e nenit nga Udhëzimi administriv që ndalon bartjen e shamisë nëpër shkollat publike.

“Ende nuk e kemi shqyrtuar raportin”, ka thënë Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi për Express, në gusht të këtij viti.

Kthehu mbrapa

Shto koment