Ministri Shala premton mbështetje për Gjilanin në kulturë, rini dhe sport

13.07.2015 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu dhe bashkëpunëtorët ka pritur sot në takim zëvendëskryeministrin e qeverisë së Kosovës dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.

 

 

Pas takimit që patën në zyrën e tij, kryetari Haziri tha se kjo është njëra nga vizitat më të rëndësishme për Gjilanin, duke e njoftuar lidhur me funksionimin e institucioneve kulturore. 

“Është nderë i veçantë që po qëndron për vizitë në Gjilan zëvendëskryeministri, Kujtim Shala, është njëra nga vizitat më të rëndësishme për ne. Unë e njoftova për gjendjen aktuale në Komunë, që përfshinë angazhimin tonë për ndërtimin këtij muzeu të qytetit, në të cilën është edhe Qendra për Trashëgimi Kulturore, Teatrin e Qytetit, përfshirë subvencionet dhe vështirësitë që janë lidhur me statusin e teatrit, lidhur me pavarësinë financiare të teatrit, e deri te rinia dhe infrastruktura e gjendja në sport”, u shpreh kryetari Haziri pas vizitës që i bëri Muzeut të Gjilanit së bashku me zëvendëskryeministrin Kujtim Shala.

Ai tha se beson shumë në mbështetjen e ministrit Shala sepse, siç tha, “është njeriu i cili i njeh problemet, i di dhe mund t’i zgjidh këto probleme, që kryesisht kanë të bëjnë me nivel nacional”.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherit ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se vizita e sotme është shumë e dobishme për të dhe ekipin e tij, meqë po njihen konkretisht me nevojat, kërkesat dhe problemet.

“Vizita e sotme në Gjilan për ne është shumë e dobishme, meqë ne bisedojmë dhe njihemi konkretisht për çështje konkrete që lidhen me institucione të kulturës, pastaj me fushën e sportit, me politikat e rinisë dhe në radhë të parë është e rëndësishme meqë ne arrijmë t’i njohim drejtpërdrejt problemet dhe çështjet të cilat duhet t’i zgjidhim dhe të cilat ne punojmë t’i zgjidhim bashkërisht”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Shala e ka falënderuar kryetarin Haziri që e ka dhënë ish-zyrën e tij për Muzeun e Qytetit.

“Ne këtu jemi në objektin e ardhshëm të muzeut të qytetit të Gjilanit. Ky është një projekt i jashtëzakonshëm dhe unë e falënderoj shumë kryetarin Haziri dhe e çmoj jashtëzakonisht punën dhe angazhimin e tij në këtë fushë dhe dashamirësinë e tij që ka për fushën e kulturës. Ne i japim të gjitha garancitë që do të ndihmojmë Gjilanin dhe zonën e Anamoravës me projekte konkrete si qeveri, dhe si institucione nacionale do të bashkëpunojmë ngusht me të gjitha institucionet komunale”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Kujtim Shala.

Gjatë ditës së sotme, Haziri e Shala e kanë vizituar edhe Teatrin e Qytetit, Sahat Kullën, Shtëpinë e Rinisë dhe stadiumin e qytetit./2L ONLINE/





Kthehu mbrapa

Shto koment