Ministri Bajrami dhe Kryetari Haliti vizitojnë Shkollën

10.09.2015 (komentet: 0)

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka vizituar sot Komunën e Vitisë dhe me këtë rast, i shoqëruar nga kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti me bashkëpunëtor kanë vizituar objektin e ri të Shkollës së Mesme Teknike Profesionale “Jonuz Zejnullahu” objekt ky që është financuar me mjete të Ministrisë, ndërtimi i së cilës është sipas standardëve evropiane. Gjatë kesaj vizite, ata kanë parë për së afërmi edhe terrenin e hapur sportiv në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti, i cili poashtu është përuar ne fillim të kësaj jave.

 

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti e ka falenderuar ministrin Arsim Bajrami për përkushtimin e tij që ky projekt të përfundoj sa më parë dhe të krijohen kushte të volitshme për nxënësit dhe personelin e kësaj shkolle. “Vërtetë jemi të entuziazmuar që MASHT-i ka ndërtuar një shkollë moderne si kjo shkollë teknike profesionale në Viti dhe ne si Institucione komunale jemi të kënaqur që një investim i tillë është bërë në kohën dhe vendin e duhur” u shpreh Haliti.

 

Ai tha se kjo shkollë do të shërbej për gjenerimin e punësimit dhe të hyrave, si dhe përgatitjen e gjeneratave të reja për ekonomin e tregut. Ndërkaq Ministri Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami u shpreh i kënaqur që në Viti është ndërtuar një shkollë moderne që ngjason me ato evropiane.

 

“Është një kënaqësi e veçantë që sot jam në këtë shkollë në Viti që i përngjan edhe shkollave evropiane. Po ashtu jemi të kënaqur që kemi pasur mundësi të investojmë në këtë shkollë” u shpreh Ministri Bajrami.

 

Ai ndër tjerash theksoi se çështja e objektit është vetëm gjysma e punës sepse sipas tij gjysma tjetër duhet të mbushët me punë cilësore, përkushtim, angazhim dhe menaxhim të mirë për të krijuar shkollat cilësore.

 

Ai tha se Ministria e tij po punon në ndërtimin e standardëve në shkollat profesionale.

 

“Kemi punuar në veçanti në shkollat profesionale që ato të specializohen të ndërtojmë standardët e shkollave të tilla në mënyrë që të rinjtë tanë të punësohen më lehtë përmes shkollave profesionale “ tha ndër tjerash ministri Bajrami.

 

Ndërkaq në pyetjet e gazetarëve lidhur gjendjen jo të mirë të shkollës fillore në Pozheran të Vitisë, ai tha se MASHT-i në bashkëpunim me Komunën dhe donatorët e kanë për obligim që të gjejnë fonde për ndërtimin e një shkolle të re në këtë fshat.

 

Gjatë këtij takimi ata kanë parë për së afrimi objektin e ri i cili është përuruar ditë më parë, ku ndër tjerash janë takuar edhe me personelin arsimor dhe drejtorin e kësaj shkolle Nijazi Lutfiu i cili foli edhe për rëndësinë që kjo shkollë të pajiset me kabinete.

 

Po ashtu ata kanë vizituar edhe terenin e hapur sportiv të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti. /2L ONLINE/






Kthehu mbrapa

Shto koment