Migrimi problem ndërkombëtar, luftërat e huaja edhe më të rrezikshme

28.01.2015 (komentet: 0)

Displaying IMG_8155.JPG

Gjilan - Në debatin e titulluar “Stop migrimit dhe pjesëmarrjes në luftërat e huaja” të organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”  u tha se migrimi është problem ndërkombëtarr dhe edhe Kosova e Gjilani po përballet me këtë dukuri, por sipas Lutfi Hazirit më e rëndë se kjo është shkuarja e gjilanasve në luftërat e huaja. Ai tha se më problematik është lëvizja në lindje, në tokën e Shamit. Atje ka ofertë lufte, që është problem serioz e tash e tutje do të vijnë edhe oferta për banim. Atje pritet të ndërtohet një popull i ri, që do të administrohet prej atyre që janë sot, apo që mëtojnë perandori të re. Sipas Hazirit, lëvizja drejt perëndimit është problem, kurse problem është edhe lëvizja drejt lindjes.

 

 

Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” dhe i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung me seli në Prishtinë u tha se migrimi po i shkakton dëm të madh Kosovës e sidomos ikja e të rinjve dhe familjeve të shumta nga Kosova në drejtim të vendeve të BE-së.

 

Migrimi ilegal është kancer për Kosovën dhe ndikon negativisht në liberalizimin e vizave. Por edhe më i dëmshëm se migrimi po shihet pjesëmarrja e qytetarëve në luftën e Sirisë, një luftë që s`ka asnjë lidhje me Kosovën e shqiptarët u tha nga panelistët Lutfi Haziri, Shaban Spahiu, Flamur Hyseni e Burim Haliti.

 

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, tha se migrimi është mundësi dhe kjo po na përcjell që nga shekulli i kaluar. “Të mos u ngjesim njerëzve bishta, sepse kjo është një mundësi. Por, kjo mundësi ka rreziqe, sepse është vështirë të arsyetohet. Motivi politik, ekonomik apo motivi tjetër është vështirë të arsyetohet”, tha Haziri dhe shtoi se BE ka regjim të ashpër.

 

Ai tha se më problematik është lëvizja në lindje, në tokën e Shamit. “Atje ka ofertë lufte, që është problem serioz e tash e tutje do të vijnë edhe oferta për banim. Atje pritet të ndërtohet një popull i ri, që do të administrohet prej atyre që janë sot, apo që mëtojnë perandori të re”.

 

Sipas Hazirit, lëvizja drejt perëndimit është problem, kurse problem është edhe lëvizja drejt lindjes.”Ne nga Gjilani i kemi dy komandant në hierarkinë e ISIS-it dhe kjo është tepër shqetësuese për ne” tha Haziri.

 

Haziri, tha se lëvizja e lirë nëpër Serbi është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. “Kjo e ka lehtësuar qasjen në territorin e BE-së, andaj njerëzit po e shfrytëzojnë këtë. Por azilkërkuesit po e rrezikojnë vetën tani dhe të ardhmen e tyre”.

 

Flamur Hyseni, nga Instituti për Studime Ligjore, ka theksuar se kjo është një temë e ndjeshme në shoqërinë tonë. “Në aspekt global migrimi është problem ndërkombëtar. Kosova nuk e ka lirinë e lëvizjes, andaj kjo e shton më shumë kureshtjen që të provohet të dilet jashtë, ndoshta ngase po u mungon perspektiva. Dallimi mes Kosovës dhe shteteve të rajonit është se ata po kanë mundësi ta shfrytëzojnë nëntëdhjetëditëshin. Ai tha se Kosova qëndron mirë me ligjin, por ka probleme në zbatimin e tij. Liria e kufizuar e lëvizjes është problemi kryesor. Të rinjtë nuk kanë motivim për punë, nuk po ka ku të marr model. Te ne nuk kanë punë e studiohet sepse njerëzit nuk po mund të gjejnë punë”, ka thënë Hyseni, që shtoi se kjo po bënë që të bijë cilësia e më shumë po i jepet rëndësi formalizmave.

 

Shaban Spahiu, prokuror në Prokurorinë Themelore të Gjilanit foli për trafikimin me migrantë, fenomen me të cilin po ballafaqohet prokuroria. “Më 2014 patëm 22 kallëzime penale për 27 persona, prej tyre 17 përfunduan me ngritje të aktakuzës, derisa një person është liruar e katër të tjerë nuk u gjetën prova për ta. Numri i kallëzimeve penale është simbolik. Nuk kemi mundësi më të madhe për të parandaluar këtë dalje. Serbia e ndihmon këtë dalje me një liberalizim dhe ka hap korridor për të kaluar. Ai po na godet edhe në këtë segment. Ne jemi të përkushtuar që këto lëndë t`i shtyjmë përpara, po bashkëpunojmë me policinë dhe jemi shumë rigoroz në këto lëndë. Po e kemi të vështirë të ndalim këtë trend, ngase mundësitë për dalje janë maksimale, tash po dilet vetëm me letërnjoftim. Ata që kalojnë janë vetëm viktima e ne po i ndjekim trafikantët. Kjo shkuarje na godet rëndë, ky është problem ndërkombëtar, por mekanizmat për t’i ndal këto migrime te ne janë më të vogla” tha Spahiu.

 

Edhe , Burim Haliti, profesor universitar, ka folur në rrafshin e stabilitetit të sigurisë në përgjithësi dhe kontekstin ekonomik. “Stabiliteti institucional dhe perspektiva në aspektin ekonomik mund të ndalin migrimin”.

 

Ai tha se ata që po largohen e kanë vështirë të marrin statusin e azilantit, ngase Kosova është vend i sigurtë.

 

Demir Krasniqi krijues tha se  migrimi është vragë e të gjithëve. “Unë i kam katër fëmijë e 15 nipa e mbesa, por asnjërin nuk e kam këtu”. Krasniqi, që dikur i kishte kënduar migrimit që nga lufta në Jemen në Perandorinë Osmane e deri te kjo e sotmja.

 

Selver Lenjani, nga brezi kufitar, tha se mbi 100 banorë na kanë ikur drejt BE-së. “I lutëm të mos shkojnë, por pasiguria dhe kriza e rëndë ekonomike e bëri të vetën”.

 

Ai tha se nuk kanë siguri në kufi, policia rrallë del atje, derisa ka rënë bujqësia e blegtoria. Ai thotë se banorët e brezit kufitar të mos kthehen, sepse ata nuk kanë siguri.

 

Fadil Gashi kërkoi që të punohet me të rinj, në shkolla e me edukimin e tyre të vazhdueshëm.

 

Edhe Ismet Azizi profesor i gjeografisë tha se në ikjen, përvç që ndikon mbyllja e kufirit të Kosovës, ajo është e organizuar dhe orkestruar sepse ndryshe sipas tij nuk mund të arsyetohet i tërë ky masivizim edhe i autobusëve drejtë vendeve të BE-së

Kthehu mbrapa

Shto koment