Mehmeti: Qeverisja komunale kompletohet deri më 24 janar

06.01.2014 (komentet: 0)

Arben Mehmeti sekretar i degës së LDK-së në Gjilan tha për rajonipress se është me rëndësi që Gjilani të udhëhiqet me figura që i kanë duart e pastërta, serioz, profesional, e të dëshmuar dhe me një fytyrë politike. Mehmeti tha se deri më 24 janar do të duhej të finalizoheshin dhe institucionalizoheshin të gjitha strukturat komunale duke përfshi kryesuesin, zv/ kryesuesin, nënkryetaret e komunës, drejtorët e drejtorive dhe strukturën e komiteteve të kuvendit komunal.

“LDK-ja, është e hapur ndaj të gjitha subjekteve politike që dëshirojnë të ndihmojnë në realizimin e programit politik të LDK dhe në këtë ecje vetëm PDK është e përjashtuar të cilës i dëshirojmë një jetë të gjatë në opozitë, por se dëshirojmë që edhe të jetë konstruktive sepse vetëm kështu e respekton vullnetin qytetar të komunës së Gjilanit”. Kështu thotë për rajonipress Arben Mehmeti sekretar i degës së LDK-së në Gjilan. 

Mehmeti tha se besojmë se deri më 24 janar do të duhej të finalizoheshin dhe institucionalizoheshin të gjitha strukturat komunale duke përfshi kryesuesin, zv/kryesuesin, nënkryetaret e komunës, drejtorët e drejtorive dhe strukturën e komiteteve të kuvendit komunal.

“Dhe kjo do të duhej të jetë ecja normale institucionale nëse nuk ka ndonjë veprim tjetër që mund t`i shtyj këto procese. Dhe për të gjitha këto objektiva së shpejti do të takohet kryesia e LDK në Gjilan dhe do të precizoj sa më parë njerëzit që do të jenë bartës të këtyre proceseve për këtë mandat” tha Mehmeti.

Mehmeti tha se natyrisht në këto strukturime do të ketë vend vetëm për njerëz profesional, të dëshmuar dhe që kanë merita për ecjen e suksesshme të LDK-së. ”Tashmë kryetari i komunës e ka autoritetin të krijojë ekipin e tij, ekip që do t`i propozohet nga LDK-ja dhe eventualisht nga ndonjë subjekt tjetër politik që do të jenë në ecje të përbashkët ne Gjilan që do ta udhëheqë Gjilanin për këtë mandat , ndërsa është nën mandatin e tij t`i zgjedhë më të merituarit në të gjitha aspektet, pra ne si subjekt do t`i propozojmë më shumë emra që kryetari ta ketë mundësin të zgjedh në mesin e më të mirëve”.

Mehmeti thotë se është me rëndësi që Gjilani të udhëhiqet me figura që i kanë duart e pastërta, janë serioz, profesional, e të dëshmuar dhe me një fytyrë politike krdeibile. /rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment