Me prioritet trajtojnë lëndët e konfiskimit të pasurisë të fituar me vepër penale

07.04.2015 (komentet: 0)

 Në vazhdën e debateve që po i organizon Lëvizja FOL, nëpër komuna, me temën “Konfiskimi i Pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare e institucioneve përkatëse, një debat i tillë u mbajt të martën në Komunën e Gjilanit ku pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Gjykatës Themelore, Prokurorisë, avokat, përfaqësues të OJQ-ve e qytetarë si dhe media.

 

 

Debati mëtonte të nxirrte në pah informacione rreth sfidave ligjore në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, për rezultatet e institucioneve rreth sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë dhe niveli i koordinimit të institucioneve të drejtësisë në këtë fushë. Ndërkohë nga të pranishmit, sidomos nga përfaqësues të Prokurorisë e Gjykatës u tha se ka rezultate në këtë drejtim të shënuara përgjatë vitit 2014, por që këto rezultate të jenë sa më të dukshme pranuan se u nevojiten akoma kohë dhe se ato mund të jenë të prekshme këtë vit apo edhe në vitet në vijim. Por, ajo që është me rëndësi u tha se me prioritet të lartë po i trajtojnë lëndët e konfiskimit të pasurisë të fituar me vepër penale.

 

Zyhdi Haziri, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, ka thënë se kjo gjykatë që ka tri degë në Viti, Novobërdë dhe Kamenicë, ka proceduar lëndë të ndryshme dhe me prioritet ka trajtuar konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale.

 

Ai ka thënë se janë konfiskuar të holla, vetura, armë, drogë e gjësende të tjera. Sipas Hazirit, më 2014 janë konfiskuar nëntë vetura të llojeve të ndryshme, pastaj monedha e material ndërtimor, armë pa leje dhe mbi 150 kilogram narkotikë, që nga marihuana, heroina e kokaina.

 

Haziri, ka thënë se edhe nëse pasuria jashtë vendit fitohet në mënyrë të paligjshme, apo me vepër penale, ajo mund të konfiskohet. I pyetur se cila është vlera e veturave të konfiskuara, Haziri ka thënë se ato varijojnë prej 3 mijë deri në 15 mijë dhe do të shiten nëpërmjet ankandit dhe ka shtuar se ka edhe barna të konfiskuara dhe ka saktësuar se janë në dijeni se një gram marihuanë në tregun e zi po shitet për pesë euro dhe vlera del se është e madhe duke pas parasysh sasinë e konfiskuar. Ai tha se e tërë kjo sasi e drogës asgjësohet.

 

Jetish Maloku, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan, tha se ka të angazhuar 15 prokurorë në katër degë dhe për një vit mbi 4000 persona kanë kaluar nëpër zyrat e prokurorisë dhe se janë më efikasit në nivel vendi. Vetëm gjatë vitit 2014, ai tha se kanë pasur 311 kërkesa për konfiskim të pasurisë se në oborrin e parkingut kanë 35 automjete të konfiskuara, kurse aty janë edhe 50 automjete të mëhershme dhe nuk po dinë se çka të bëjnë me to, sikurse që kanë edhe pajisje të tjera. Ai ka thënë se ato do të duhej të shiteshin dhe të ndihmohen/krijohet Fondi per viktimat, sikurse që do të mund t’u shpërndaheshin edhe institucioneve.

 

Sipas kryeprokurorit Maloku, ata kanë trajtuar 102 raste për korrupsion, në mesin e të cilëve pati edhe zyrtarë komunalë, kryetar komunash e deri te zëvendësministrat. Ai tha se prokuroria ka guxim për të trajtuar këto raste, derisa edhe kryegjyqtari gjilanas Zyhdi Haziri, ka theksuar se për gjykatën asnjë qytetar nuk është i fuqishëm, ngase drejtësisë nuk mund t’i ik askush.

 

Sherifi Sherifi, avokat, ka kërkuar krijimin e një mini-task force për luftimin e pasurisë së krijuar me vepër penale, ngase siç ka thënë ai, ka njerëz që në mënyrë të vrullshme po ndërtojnë ndërtesa të larta, por që nuk dihet se si e kanë krijuar atë pasuri.

 

Sipas tij duhet të hetohet edhe komuna, që po lejon ndërtime të tilla, shqetësim të cilin e ka ngritur edhe Avdi Aziri, nga OJQ “Sfera” që tha se prokuroria nuk po i heton investitorët se prej kah e morën atë pasuri, e me theks të veçantë përmendi investitorët e ndërtimeve të larta në Gjilan.

 

Vedat Xhymshiti, gazetar dhe Ismet Azizi qytetar aktiv gjilanas, kanë kërkuar më shumë guxim nga organet e drejtësisë dhe sipas tyre duhet që gjyqësori të veprojë menjëherë edhe kur diçka jepet në mjetet e informimit, derisa Shaban Terziu nga OJQ Landsdowne, u interesua për atë se kush janë keqpërdoruesit më të mëdhenj, politikanët, bizneset, shërbyesit civil apo qytetarët, se çfarë bëhet tutje me pasurinë e konfiskuar sikurse deshi të dije edhe për ligjin aktual se sa e vlerësojnë se është i duhur dhe adekuatë për këtë çështje. Edhe të pranishmit tjerë dhanë kontributin e tyre me diskutimet dhe pyetjet në lidhje me temën.

 

Përndryshe, debati u organizua nga Lëvizja FOL me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë. / 2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment