Më 2 korrik në Gjilan hapet panairi regjional i prodhimeve vendore “Gjilani 2015”

01.07.2015 (komentet: 0)

 

 

Në Komunën e Gjilanit për tri ditë me radhë, duke filluar më 2, 3 dhe 4 korrik, do të mbahet Panairi Regjional i Prodhimeve vendore, “Gjilani 2015”, me pjesëmarrje të mbi 100 bizneseve të Regjionit të Lindjes, ku qytetarët kanë mundësinë që nga afër të shohin por edhe blejnë produktet e ekspozuara.

 

 

Me këtë rast, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Ismajl Januzi, ka thënë se Komuna e Gjilanit mbështetur edhe nga USAID – i, ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e këtij panairi tashmë tradicional për Gjilanin.

 

“Komuna e Gjilanit, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, me mbështetje edhe të USAID-it, ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e panairit në tri ditët e ardhshme. Pjesëmarrës në këtë panair me prodhimet e tyre vendore do të jenë mbi 100 biznese duke përfshirë komunat e Regjionit të Lindjes. Informohen qytetarët se në këtë panair mund të shohin produktet e ekspozuara dhe të blejnë nga to, por gjithashtu është i rregulluar edhe këndi me lodra për fëmijë”, ka thënë drejtori Januzi, duke u bërë ftesë qytetarëve që ta përcjellin nga afër këtë organizim.

 

Ndryshe panairi hapet nesër me datën 2 korrik në ora 10:00 dhe produktet ekspozohen përgjatë gjithë qendrës së qytetit të Gjilanit.

Kthehu mbrapa

Shto koment