Mbahet mbledhja Komemorative për nderë të Shemsije Haliti-Kadriu

23.01.2015 (komentet: 0)

 

Në Teatrin e Qytetit të Gjilanit është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të Administratores së Gjykatës Themelore të Gjilanit, Shemsije Haliti-Kadriu. Familjar, miq, bashkëpunëtorë, personalitete nga jeta politike e shoqërore ishin të pranishëm në këtë mbledhje komemorative.

 

 

Me këtë rast Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Mr. Sc. Zyhdi Haziri ka thënë se ndarja nga jeta e koleges tonë është një humbje e madhe, jo vetëm për Gjykatën tonë për tërë gjyqësorin e vendit.


 

“Sot është një ditë e dhimbshme jo vetëm për Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe Degët e saja, por edhe për gjithë Komunën e Gjilanit dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Është një humbje e madh, pasi po ndahemi nga Administratorja e Gjykatës sonë tani e ndjera Shemsije Kadriu. Janë bërë 12 vite të punës së saj Gjykatën tonë dhe të gjithë ne sot, nuk mund të harrojmë sjelljen e saj të mirë dhe këshillat e saj për gjyqtarët dhe gjithë stafin e administratës. Unë si kryetar i Gjykatës gjatë këtyre viteve me të ndjerën kemi arritur të tejkalojmë çdo sfidë, pasi që vullneti i saj asnjëherë nuk ka munguar”, tha Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Zyhdi Haziri.

 

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka vlerësuar lartëpersonalitetin e Administrores Kadriu.

 

“Ka qenë dita e rëndë e diagnostifikimit të saj më këtë sëmundje, ka qenë shumë e rëndë për familjen, për Rexhën, për fëmijët e saj dhe për të gjithë ne që e kemi njohur në një mënyrë apo tjetër, qoftë si juriste, qoftë si administratore e gjykatës edhe nënë dhe kryefamiljare e familjes Kadriu. Shemsija ka qenë ashtu siç e kemi njohur krejt, por lufta e saj këto gjashtë muaj me jetën ka treguar sa është e fortë, sa është e fuqishme dhe çfarë vullneti ka pas”, tha Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

 

Nga familja e Administrores Kadriu, një fjalë rasti ka mbajtur burri i saj, Rexhep Kadriu.

 

Me këtë rast ai ka thënë se ndihet krenar për gruan tij dhe do të gjej forcën për të tejkaluar këtë situatë.

 

“Nga kjo foltore gjithherë kam folur për politikë apo për dikënd tjetër, ndërsa sot vështirë e kam, sepse 170 ditë kaluam së bashku, ditë të vështira për Shemsijen. Në emrin tim, në emër të Elionit, Eronit 16 vjeç, Elisës 18 vjeç, në emër të familjes Haliti jam krenar për gruan që kam pas. Ju falënderoj të gjithëve për interesimin. Besoj që do të gjej forcë me fëmijët e mi për të kaluar këtë kohë”, tha Rexhep Kadriu.

 

Në pamundësi për të qenë prezent në këtë mbledhje komemorative, një telegram ngushëllim ka dërguar Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Dr. sc. Fejzullah Hasani.

 

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e koleges tonë të çmuar, në pamundësi të jem pranë jush, në këto çaste të dhembjes së madhe për shkak të angazhimeve, në emër të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe në emrin tim personal, por edhe si profesor i Shemsijes në Mastër, më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ditë kaq të dhimbshme për ju”, përfundon telegram ngushëllimi i Kryetari të Gjykatës Supreme të Kosovës,Dr. sc. Fejzullah Hasani.

 

Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Zyhdi Haziri dhe gjithë stafi i kësaj gjykate kanë shprehur ngushëllimet më të thella familjes Kadriu.

 

Shemsije Haliti-Kadriu është lindur me 09.05.1970, ajo kishte të kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Rreth 12 vite ka punuar në Gjykatën Themelore të Gjilanit, së pari si referente, ndërsa për disa vite Administratore e Gjykatës. 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment