​Lutfi Haziri thotë se në Gala Mbrëmjen humanitare janë premtuar mbi 200 mijë euro nga njerëzit e vullnetit të mirë

30.12.2017 (komentet: 0)

 

 

 

Gjilan, 30 dhjetor 2017 – Në konferencën për media të fundvitit, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi falënderoi përfaqësuesit e mediave për bashkëpunimin, ka thënë se 2017-ta ka qenë vit i rëndë dhe sfidues për qeverisjen, marrë parasyshë faktin e mbajtjes së dy palë zgjedhjeve.

 

 

Haziri tha se gjatë proceseve zgjedhore është stopuar puna në të gjitha projektet për të mos ndikuar në rezultat, përderisa ka përmendur punët e mëdha në disa resore.

 

“Në arsim kemi investuar mbi 3 milionë euro, përfshirë ndërtimin e çerdhes në “Dardani”, fillimin e ndërtimit të shkollës në Haxhaj, ndërtimin e disa sallave sportive dhe renovimin e shkollave për mbarëvajtjen sa më të mirë të mësimit. Në bujqësi, së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, janë subvencionuar bujqit në shumën e mbi 2 milionë eurove. Përderisa në shëndetësi kemi renovuar shumicën e QMF-ve”, ka thënë Haziri.

 

Ai theksoi se gjatë vitit 2017 janë realizuar projekte të jashtëzakonshme edhe infrastrukturë në kulturë, sport e rini, duke shtuar se bashkëpunimi i mirë me organet e sigurisë ka bërë që në Gjilan të ketë zero krime me motive të ulëta.

“Afro 2 milionë euro i kemi zotuar për ndërtim të infrastrukturës në qytet dhe fshatra, dhe afro 500 mijë për ujësjellës për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm për disa fshatra. Po ashtu, e shfaq zotimin se në gjashtëmujorin e parë do të zgjidhet problemi i teatrit të qytetit”, pohoi Haziri.

 

“Do të ketë investime tjera multimilionëshe në përfundimin e katërshes së madhe infrastrukturore, që përfshihet ndërtimi i rrugëve, tretmani i ujërave të zeza, ndërtimi i shtratit të lumit “Stanishorka” e “Mirusha”, pastaj investimi në rrjet të ujësjellësit, në ndriçim publik e ndërtimi dhe standardizimi i trotuareve”, është shprehur kryetari Haziri.

 

Ndërkohë, duke folur për organizimin e gala mbrëmjes humanitare, kreu i Gjilanit tha se e bënë krenar solidariteti i njerëzve të vullnetit të mirë për fëmijët me nevoja të veçanta, duke kumtuar lajmin se në mbrëmje janë premtuar mbi 200 mijë euro.

“Prej tyre janë premtuar 146.618 euro, ndërsa franga zvicerane janë premtuar 44.960 euroPërpos parave, është premtuar ndërtimi i tri shtëpi me çelësa në dorë, pastaj instalime elektrike, pajisje hidrosanitare, shërbime shëndetësore falas për këto kategori etj. Pra, gala mbrëmja e 27 dhjetorit i ka tejkaluar parashikimet tona dhe i falënderoj të gjithë për besimin”, ka thënë Haziri, duke shtuar se llogaritë zyrtare bankare janë të hapura për ata që duan të kontribuojnë edhe në ditët e javët në vijim.

 

Haziri ka informuar se gjatë vitit 2017 është inauguruar edhe Biblioteka e Qytetit, e cila është ndërtuar sipas standardeve me financim të Komisionit Europian, përderisa për pret që së shpejti të nis ndërtimi i Kampusit Universitar.

 

Kreu i Gjilanit ka thënë se ndihet mirë që në janar do të nis ndërtimi i Tregut të Gjelbërt, në vlerë prej 600 mijë euro me financim të Komisionit Europian.

 

“Definitivisht, tregu do të jetë i tregtarëve dhe assesi ndryshe. Po ashtu, këtë javë javë kemi nënshkruar marrëveshjen edhe për dy tregje mobile, njërin në Kmetoc dhe tjetrin tek kasha “Shën Nikolla” për nevoja të komunitetit serb”, tha ai.

 

Haziri tha se Komuna e Gjilanit ka në plan riorganizimin dhe zgjerimine  qendres së qytetit dhe ndërtimin e tri prarqeve.

 

“Përfundimisht, Gjilani po rikthehet dhe po del nga depresioni ekonomik dhe politik që është gjetur. Përveç atributit si kryeqendër i  kulturës dhe sportit, Gjilani do të jetë edhe kryeqendër ekonomike”, shtoi Haziri.

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fund ka uruar të gjithë qytetarët për festën e Vitit të Ri, duke iu dëshiruar fat, lumturi dhe mirëqenie në vitin 2018. 

Kthehu mbrapa

Shto koment