Lutfi Haziri priti ministrin në detyrë të Diasporës, Ibrahim Makolli

04.08.2014 (komentet: 0)

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtori i DZHE-së, Ismail Januzi, ka pritur sot në takim ministrin në detyrë të Diasporës, Ibrahim Makolli, të cilin e ka njoftuar për vendimet që ka ndërmarrë Komuna për pritjen e mërgimtarëve dhe për të gjitha nevojat që kanë ata.  

 

Në takim ka qenë i pranishëm edhe nënkryetari i Novobërdës Bajrush Ymeri si dhe nënkryetarët e Parteshit, përkatësisht Kllokotit.

Kryetari Haziri, pasi ka falënderuar ministrin Makolli për vizitën, ka thënë se Komuna e Gjilanit sipas disa vlerësimeve, ka 32 për qind të qytetarëve të saj që jetojnë në Europë, me të cilët tha se Gjilani ndihet krenarë.

“Në muajin korrik dhe deri në fund të gushtit, Komuna jonë pret fluksin më të madh të bashkatdhetarëve, vëllezërve dhe motrave tona, që kalojnë pushimet në vendlindje, jo vetëm si çmallje, por edhe si impakt ekonomik. Sipas vlerësimeve, 32 për qind e banorëve të Gjilanit jetojnë në Europë. Ata në Gjilan mbajnë familjet që njihen si remitencat, mbështetja e rregullt financiare dhe prodhimet. Panagjyri tregoi qartë që në Gjilan gurbetçarët tanë kanë filluar të prodhojnë tonerë për tregun zviceran, po ashtu ata kanë filluar të prodhojnë dyer dhe dritare vetëm për tregun gjerman, ku është hapur njësia e prodhimit në Gjilan. Ata po prodhojnë me rritje të kapaciteteve, e deri te “Vali Ranch” dhe investime tjera të mëdha që janë kryesisht mjete të familjeve të gurbetçarëve”, ka deklaruar kryetari Haziri.

Prikaz slikovne datoteke 4.JPG

Ai tha se në javën e  ardhshme do të publikohet kalendari aktiviteteve kulturore dhe aktivitete të tjera në shenjë mikpritje të bashkatdhetarëve.

“E kemi simbolizuar këtë vit me fytyrën e Xherdan Shaqirit, si gjilanasi më i madh në Europë, por do të bëjmë aktivitet edhe me emra dhe me autoritete, të cilët në Europë kanë bërë ndikimet e veta dhe për Gjilanin është vlera më e madhe edhe kombëtare edhe ekonomike që sot e kemi”, shtoi Haziri.

Nga ana e tij, ministri i Diasporës Ibrahim Makolli, ka falënderuar kryetrin Haziri për punën e madhe që ka bërë në pritjen sa më të mirë të mërgimtarëve të kësaj pjese.

“Sic dihet, Anamorava është regjioni që ka më shumti mërgimtarë që jetojnë në shtete të ndryshme. Me këtë rast, unë e përgëzoj edhe kryetarin Haziri edhe kryetarët e komunave të tjera që kanë ndërmarrë të gjitha veprimet në mënyrë që të gjitha nevojat që i kanë mërgimtarët tanë gjatë këtyre ditëve, t’i zgjidhim në afatin sa më të shpejt kohor. Në kuadër të qëndrimit të mërgatës tonë në Kosovë, kemi organizuar edhe si ministri, por edhe në bashkëveprim me nivelin lokal, aktivitete nga më të ndryshme, qofshin ato kulturore apo të tjera në mënyrë që në veçanti gjeneratat e reja të njihen me kulturën dhe traditën e vendit të origjinës. Gjatë ditëve në vijim do të organizojmë edhe aktivitete të tjera, përmes të cilave do të angazhohen jo vetëm krijues brenda vendit, por edhe krijues në mërgatë”, tha ministri Makolli.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment