Lutfi Haziri: Gjilani kaloi një muaj jashtëzakonisht të rëndë si pasojë e suspendimit të zyrtarëve pas aktakuzës së prokurorisë

05.11.2016 (komentet: 0)

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën e jashtëkonshme me gazetarë, ka nënvizuar sfidat e mëdha që po përballen si pasojë e suspendimit të dhjetëra zyrtarëve, pas aktakuzës së fundit të prokurorisë, në të cilën janë të përfshirë 39 zyrtar së bashku me ish-kryetarin.

 

“Komuna e Gjilanit ka kaluar në një muaj jashtëzakonisht të rëndë sepse është ngritur një aktakuzë për krim të organizuar ndaj 39 zyrtarëve dhe ish-kryetarit. Si pasojë e vendimit të prokurorisë, ne është dashur të ndërmarrim veprime serioze e konkrete në mënyrë që suspendimi i zyrtarëve komunalë që janë shërbyer civil, të mos krijoj zbrastira të mëdha. Dua të konfirmoj se dinamika e punës dhe objektivave tona, ka rënie deri në pikën që është dashur të mobilizojmë angazhim shtesë të ekipit që ta balancojmë këtë mungesë të numrit të madh të punëtorëve. Po e ripërsëris, derisa nuk kemi vendim të gjykatës, ne i trajtojmë të gjithë të pafajshëm”, ka thënë Haziri.

 

Ai paralajmëroi se javën e ardhshme pritet të plotësohen dhe të standardizohen disa nga pozitat, që administrata komunale do t’i zëvendësoj përkohësisht punëtorët, në veçanti tek prokurimi, urbanizimi dhe shërbimet publike.

 

“Sidoqoftë, ligji është mbi të gjithë. Ne nuk mund ta lakojmë në asnjë mënyrë tjetër, pos ta respektojmë dhe të përballemi me realitetin. Kemi ndërmarrë hapa konkret. Kemi kërkuar nga Ministria përkatëse për të na e dhënë mundësinë dhe javën e ardhshëm do të shpallim konkurs për plotësimin gradual të vendeve të punës në tre resorë të rëndësishëm”, tha ai.

 

“Shumë shpejt do të ndodhë riformatimi”

 

I pari i Gjilanit ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ndodhë riformatimi i qeverisjes komunale për të përmirësuar efikasitetin.

 

“Nëntë mujori si pjesë e punës është blloku ku ne kemi marrë shënime, kemi bërë vlerësime dhe do të ndërmarrim veprime konkrete në përmirësimin e efikasitetit të shërbyesve civil dhe të drejtorëve drejtpërdrejt. Ndyshimet faktike do ta prekin bordin e drejtorëve pas ndryshimit të statutit”, ka thënë kryetari Haziri.

 

Haziri ka përmendur sukseset në sektorin e bujqësisë, ku tha se mbi 4 mijë fermerë kanë përfituar grante nga Komuna në bashkëpunim me donatorët dhe Ministrinë e Bujqësisë, ndërkaq në administratë tha se janë dhënë mbi 10 mijë shërbime, duke përmendur edhe projektin e rëndësishëm “Smart City”, nëntë programet në kuadër të “E-kiosqet”.

 

“Të hyra rekorde nga lejet e ndërtimit”

 

Në sektorin e urbanizmit, kreu i Gjilanit tha se kemi të hyra rekorde nga lejet e ndërtimit, apo mbi 740 mijë euro, përderisa në Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë theksoi se për herë të parë është kryer rilevimi i objekteve publike komunale në zonat rurale, si : shkolla, biblioteka, Qendra të Mjeksisë Familjare, zyre të ofiqarisë, qendra të kulturës, objekte sportive etj, për të vazhduar me punët në shërbimet publike.

 

“Gjatë kësaj periudhe kemi mbi 5.2 milionë euro investime në infrastrukturë që përfshinë rrugët, kanalizimin, ujësjellësin, ndriçimin, trotuaret, e parqet. Investimet I kemi bërë pa dallim, në fshatra e qytete. Shikojeni sot “Lagjen e Vishnjeve” se si e kemi ndryshuar rrënjësisht. Nga një lagje të harruar e për të cilën janë përdorë terminologji ofenduese, sot Komuna e ka standardizuar jetën e banorëve, e ka integruar atë lagje me pjesën tjetër të qytetit, duke mos lejuar asnjë lloj diskrimini”, ka thënë Haziri.

 

“Arsimi vazhdon të mbetet prioritet”

 

Kreu i Gjilanit tha se të hyrat vetanake gjatë këtij vitit janë impressive, apo 3.6 milionë euro.

 

Për arsimin, kryetari i Gjilanit ka ripërsëritur se vazhdon të mbetetet prioriteti i parë i qeverisjes, derisa ka përmendur ndarjen e bursave për 69 studentë, ndërtimin e kampusit të shkollave të mesme, ndërtimin e shkollës ”Bajram Curri” në Shurdhan, ndërtimin dy sallave të edukatës fizike, “Abaz Ajeti” dhe “Liria” – Pogragjë, ndërtimin e aneksit të shkollës fillore në Ponesh, ndërtimin e çerdhes në lagjen Dardania etj.

 

“Të gjitha këto dhe projekte tjera janë bërë me partneritet të shkëlqyer me Komisionin Europian, USAID, Caritasin zviceran, qeverinë e Austrisë e qeverinë gjermane, të cilët i falënderoj shumë për besimin e madh ndaj nesh”, është shprehur Haziri.

 

“Mbi 1000 vende të reja pune për nëntë muaj”

 

Tek sektori i Zhvillimit Ekonomik, i pari i gjilanasve tha se kemi trend pozitiv në regjistrimin e bizneseve të reja, përderisa theksoi se për nëntë muaj janë krijuar mbi 1 mijë vende të reja pune nga partneritete të ndryshme me donatorët, duke shtuar se më shumë se 400 biznese kanë përfituar në forma të ndryshme.

 

“Është realizuar me sukses Panairi Regjional “Gjilani 2016”, Panairi i makinave "Auto-Shoë". Në bashkëpunim me organizatën gjermane “Help”, 46 mikro-biznese janë përfitues të granteve, me nga 2 mijë  euro, të cilët, janë kryesisht zejtarë të Gjilanit. Valorizimi i tregtisë tradicionale dhe potenciali socio - ekonomik, ky program ka shpërndarë 28 grante në vlerë prej 2 mijë euro  për zejtarët. Nga marrëveshja me KfË, Komuna e Gjilanit përfiton mbi 1 milion euro, që do të investohen në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Gjilanit. Këtu duhet përmendur edhe ndërtimin e parkut në lagjen “Dardania”, i cili dëshmua të jetë tejet i rëndësishëm”, ka deklaruar kryetari Haziri në adresimin para gazetarëve.

 

Në konferencën e sotme të jashtëzakonshme për media, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se e bënë krenar fakti që pas mbrëmjes humanitare janë ndëruar 36 shtëpi për familjet në nevojë, 38 familjeve po ua paguajnë qiratë, derisa 40 familjeve po ua renovojnë shtëpitë.

 

Ai tha se gjatë kësaj periudhe janë renovuar të gjitha qendrat shëndetësore, 1121 familjeve po i jepet asistenca sociale, duke shtuar se mijëra gjilanas që iu kanë drejtuar shëndetësië primare, kanë marrë shërbime profesionale.

 

“Vendimet e gjykatës është mirë të mësohemi që të mos i komentojmë”

 

I pyetur nga gazetarët lidhur me vendimin e gjykatës, e cila e hedhë poshtë aktakuzën ndaj tij, kryetari Haziri tha se “vendimet e gjykatës është mirë të mësohemi që të mos i komentojmë”.

 

“Unë vetëm mund ta konfirmoj se deklarata ime se ato janë vetëm pretendime të prokurorisë, ka dalë të jetë e vërtetë sepse s’ka pasur asnjë fakt në ato pretendime sa i përket parkingjeve”, tha kryetari Haziri.

 

“Drejtorët komunalë do të zgjedhin mes meje dhe operatorëve”

 

Në fund të konferencës, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se do të ketë tolerancë zero për të gjithë operatorët që nuk i kryejnë punët sipas dinamikës së paraparë.

 

“Drejtorët komunalë do të zgjedhin mes meje dhe operatorëve. Ose do të vazhdojnë të hënën të punojnë nëse i zbatojnë detyrat drejtpërdrejt sipas kërkesës sime, ose duhet t’i lajmërojnë operatorët që kanë vonesa dhe të fillojmë zbatimin e detyrës ligjore- listat e zeza për operatorët e papërgjegjshëm”, ka përfunduar Haziri.

Kthehu mbrapa

Shto koment