Luta: Ky është nëntori i rikthimit të madh të LDK-së

28.11.2013 (komentet: 0)

Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan ka zgjedhur Ditën e 28 nëntorit – Festën e Flamurit, për të bërë bashkë këtë kremte dhe përmbylljen e fushatës zgjedhor të kandidatit të saj Lutfi Haziri, për garën e balotazhit që do të mbahet më 1 dhjetor.



Në palestrën sportive “Bashkim Selishta”, ishin tubuar përkrahësit e Hazirit, që nën brohoritjet “Rugova, Rugova “ Luta kryetar – Luta kryetar”,  bënë që Hazirit t’ju drejtohet atyre duke u thënë se nuk ka vend, as sallë, as stadium, as shesh... që mund t’i zë përkrahësit e shumtë të LDK-së dhe frymës rugoviane.

Duke iu referuar sallës së mbushur plotë, Haziri ka thënë se po dëshmohet edhe njëherë se bashkë me LDK janë të gjithë qytetarët e Gjilanit, janë edhe institucionet duke përmendur kryetarin e KBI me të gjithë imamët, pastaj të gjitha subjektet tjera partnere, si PD. LR, ADK. LIZ, AAK, AKR..., të cilët janë bërë bashkë me fitoren e madhe të LDK-së.

Duke uruar për Festën e Flamurit, Haziri ka thënë se ky nëntor është edhe nëntori i rikthimit të madh të LDK-së, i rikthimit të filozofisë rugoviane. 

Haziri ka thënë se programin e tyre e kanë besuar qytetarët dhe LDK-ja është kthyer për të qeverisur me komunën, me 20 mijë vota  që do ti ruaj si të shenjta. Ai ka thënë tutje se qytetarët e kanë dënuar një qeverisje arrogante e cila kishte shfrytëzuar ndarjen brenda LDK, gjë që i ka kushtuar këtij subjekti, por se ajo tani është bashkuar dhe po rikthehen fuqishëm.

Ai ka thënë se ishin gjashtë vite arrogancë të këtij pushteti, gjashtë vite të qeverisjes aziatike e cila e ka kapluar këtë qytet, por që tani me LDK, do të kthehen në zhvillim të madh, me këtë rast janë premtuar investime në shumë fusha.

Ai tha se për familjen gjilanase do të ketë kujdes të veçantë, pasi do të jenë familjet që do të përfitojnë e jo pushtetarët. Përndryshe, Haziri tha se edhe Gjilani e Anamorava do të jetë me prioritet nga LDK-ja e jo siç bënë ata që e përjashtuan nga autostrada dhe shumë të mira të tjera. Ai tha se Gjilani nesër do ta mbështes edhe më shumë LDK-në për ta ndërruar qeverisjen edhe në nivel qendror.

“T’i japim LDK-së mundësinë që njëherë të qeveris pa lak në fyt edhe atë për herë të parë”, ka thënë Lutfi Haziri, për të ftuar të gjithë gjilanasit të dalin sa më masovikisht, me 1 dhjetor,  për të votuar e për ta konfirmuar dhe betonuar fitoren e tij.

E, ai mbështetje mori edhe nga nënkryetari i parë i LDK-së nga qendra, akademik Sabri Hamiti.

Hamiti tha se  kur LDK vendosi të bëjë kthesën e madhe në Gjilan, zgjodhi Lutfi Hazirin për kandidat  dhe nuk ka gabuar sepse Luta do të jetë kryetar i Gjilanit.

Hamit ka thënë se kandidati i tyre është një person i cili është i pjekur politikisht dhe ka pasur disa poste ku ka treguar vlerat e tija. Përvojën që ka ai do të bartë në Gjilan ka thënë Hamiti, për të shtuar edhe se atë se qytetarët e Gjilanit kanë vendosur që Lutën ta bëjnë kryetar dhe kjo është treguar edhe me 3 nëntor, e me 1 dhjetor, qytetarët e Gjilanit vetëm do të ja vendosin kurorën.

Më pas, është dhënë edhe një program artistik për nderë të 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit. / 2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment