Lugina e Preshevës më e diskriminuara në gjithë hapësirën evropiane!

22.12.2015 (komentet: 0)

 Lugina e Preshevës edhe ketë vit po e mbyll pa ndonjë sukses për dalë nga gjendja e okupimit! Si rajon ai ka mbetur më i pazhvilluari dhe diskriminuari në të gjithë hapësirën evropiane! Gjatë këtij viti në Luginë të Preshevës karakteristikë dominante ka qenë aplikimi në të gjitha format i një politike ekspulsioniste të shtetit serbë kundrejt shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me qëllim të vetëm realizimin e spastrimit etnik.

Fatmri Arifi, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, sipas të cilit vetëm këtë vit shteti serb, pa asnjë bazë ligjore i ka privuar nga shtetësia rreth njëmijë shqiptarëve. Kjo sjellje tregon se Beogradi, me arrogancë po vepron në rikthimin e doktrinave të vjetra në ndryshimet demografike në Luginë të Preshevës.

 

Arifi, i cili është edhe kryetar i Lëvizjes për Integrim e Luginës së Preshevës, ka thënë se viti 2015 në Luginë të Preshevës po përmbyllet pa tekste shkollore, me ç’rast është bërë problem serioz për nxënësit e të gjitha niveleve në Luginë të Preshevës. Përveç kësaj, në Luginë të Preshevës mungon kuadri i kualifikuar për shkak se shteti serb nuk I njeh diplomat e universiteteve të Republikës së Kosovës, pasi që Gjykata kushtetuese e Serbisë e ka hedhur poshtë marrëveshjen e Brukselit në lidhje me nostrifikimin e diplomave. Në kundërshtim të këtyre politikave diskriminuese, në Preshevës dhe Bujanoc në nëntor të këtij viti, studentët dhe nxënësit e Luginës së Preshevës kanë protestuar me moto, Dua Abetaren Time; Dua Librin Shqip!

 

“Po ashtu, Lugina e Preshevës po e përmbyll këtë vit pa ndonjë investim në fushën e zhvillimit ekonomik. Prodhuesit bujqësorë apo të ndonjë kompani tjetër janë tërësisht të diskriminuar pasi që prodhimet e tyre nuk kanë treg. Nga njëra anë produktet e tyre bojkotohen në Serbi dhe nga ana tjetër tarifat doganore për Kosovë janë të papërballueshme. Diskriminimi ka qenë i theksuar edhe në investimet infrastrukturore të shërbimeve publike. Ajo pak infrastrukturë rrugore që është bërë, pa përjashtim, komuniteti shqiptarë ka qenë i detyruar të participojë me 30-40% të investimeve gjë që kjo nuk ka ndodhur në komunat me shumicë serbë”, thotë Arifi.

 

Ai shton tutje se Lugina e Preshevës është jashtë çdo projekti ndihme për shëndetësi, arsim, bujqësi, dhe në raste kur u akordohen ndonjë ndihmë, ajo është e përmasave tallëse. Përkundër asaj që çdo kush synon të sigurojë një nivel të kënaqshëm jetese, për veten dhe familjet e tyre, mbi 80% e popullsisë shqiptare në Luginë të Preshevës jeton në varfëri të thellë.

 

“Këtë gjendje po e rëndon dhe më shumë aspekti i sigurisë. Lugina e Preshevës njihet si poligon i forcave të kombinuara serbe. Çdo fshat ka nga një bazë mobile të këtyre forcave që mbajnë nën presion të egër qytetarët shqiptarë. Kohëve të fundit shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen edhe me një politikë të rafinuar në aspektin e diskriminimit: atë të ndikimit rusë, I cili për shkaqe gjeopolitike po synon që Luginën e Preshevës ta zbrazë nga shqiptarët”, ka thënë tutje Arifi.

 

Sipas tij, të gjithë këtë situatë e bënë më të rëndë fakti se për interesa joparimore, përfaqësues e partive politike shqiptare kanë pranuar pozitën inferior dhe përçmuese në këmbënguljen e tyre për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët shpesh herë kanë rënë në grackën e spekulimeve statistikore, ku të drejtat u bënë objekt kalkulimesh numerike. 

Kthehu mbrapa

Shto koment