Llukman Ismaili, kopshtari, luftëtari i lirisë!

22.04.2014 (komentet: 0)

Shkolla Fillore Abaz Ajeti, gumëzhinë nga lëvizjet e mbi një mijë e katërqind nxënësve të saj, dhe zilja, sikur kthen qetësinë gjersa fëmijët futën në klasat e tyre për të zënë dijen.


Mbi dy hektarë të kopshtit në oborrin e shkollës dhe pemët që lëshojnë shtat po thuaj çdo ditë preken nga duart e Llukman Ismailit, kopshtarit që nuk përton të shikojë rritjen dhe përkujdesen e tyre, sikur edukatorët fëmijët në procesin e mësimit.

Llukman Ismaili, kopshtari i shkollës Abaz Ajeti, baba i tre fëmijëve, ish ushtar i UÇK-së, është nga ajo pjesë e djalërisë së kombit, që fill, pas çlirimit ka mbyllur  kaptinën e luftës dhe i tëri i është kthyer normalitetit të jetës dhe nuk ka dëshiruar nga shoqëria asnjë privilegj.

Ai do bënte për shumë  vite punën ne personelin  e sigurimit të objekteve, dimër verë në borë dhe shi, gjersa do të gjente punën si kopshtarë në njërën nga shkollat e Gjilanit.  

Ish luftëtari i UÇK-së, që kishte luftuar në Llap, Karadak dhe pjesë të tjera të vendit, fjalë pak dhe i përkushtuar, thotë se përkujdesja për kopshtin është edhe pasion për të parë rregull dhe pastërti në vend.
“E kam ndjenjën se çdo pemë që rregulloj, që ujis është si nxënësit e shkollës, kanë nevojë për përkujdesje dhe dashuri”, thotë për xlpress.tv  

Ai shprehet se puna në kopsht  është një formë terapie për tu shëruar kujtimet e rënda të luftës, dhe se shpesh herë në çdo lule dhe gjelbërim të kopshtit shef fytyrat e shokëve të vrarë në luftë.

“Kopshtet, edhe të shtëpive, edhe  të shkollave duhet të jenë të bukura dhe të rregulluara,  por unë pres që kopshti  më i mirë në Gjilan, duhet të bëhet tek varrezat e dëshmorëve, aty ku prehen dëshmorët dhe Gjilani duket si në pëllëmbë të dorës”, thotë Lluka.

Ish ushtari i lirisë, shprehet se zemra i bëhet mal gjersa sheh rritën e lumturinë e nxënësve. Ai përkëdhelë flokët e tyre, dhe në  dritat  e syve të tyre,  sheh lirinë e ëndërruar të dëshmorëve. Përton, tu flasë për vete por flet shpesh për shokët. 

“Dorën në zemër, luftëtarët e lirisë i kanë bërë hallall vendit mundin dhe gjakun e derdhur, është e shoqërisë të ruaj një vend të dinjitetshëm për ta”, shprehet Lluka./xlpress.tv/

Kthehu mbrapa

Shto koment