Lëvizja për Integrim e brengosur për situatën në Maqedoni

09.05.2015 (komentet: 0)

 Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës, po i ndjek me interes dhe vëmendje të veçantë zhvillimet e fundit politike në Maqedoni dhe është e brengosur me situatën e re të krijuar atje.

 

“Shqiptarët e Maqedonisë sikur edhe ata të Luginës së Preshevës në vazhdimësi jetojnë në trojet e veta, historikisht dhe territorialisht kompakte e që padrejtësisht janë lënë jashtë kufijve administrative të Shqipërisë dhe Kosovës. Andaj bashkëndjejmë dhe solidarizohemi me ta në këtë situate të pasigurisë, diskriminimit sistematik dhe defokusimit nga problemet e vërteta që kanë shqiptarët atje”, thotë Fatmir Arifi, kryetar i Lëvizjes për Integrim e Luginës së Preshevës

 

Arifi tha se kjo Lëvizje u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, që në këtë kohë të mbeten të unifikuar dhe neutralë e të mos rreshtohen nga asnjëra anë e dy taborëve maqedonas.

 

“Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për politikat antishqiptare të qeverisë aktuale, por nuk duhet lejuar që të përdoren as nga opozita. Fakti që ajo për qëllimet e veta dhe të interesit shtetëror maqedonas po demaskon politikat qeveritare, nuk do të thotë se atë po e bën për shqiptarët dhe se atyre do t’u krijohet një status i barabartë me bashkëqytetarët e tyre maqedonas, si të privilegjuar, në një shtet unitar atipik, siç është Maqedonia”, thotë Arifi.

 

Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës apelon te shqiptarët në Maqedoni ta ruajnë qetësinë por të jenë vigjilentë. “Ndërkaq lusim subjektet politike shqiptare të bëjnë përpjekje për përafrimin dhe unifikimin e qëndrimeve dhe krijimin e një plani unik të veprimit lidhur me situatën e krijuar në këtë vend” th.[ Fatmir Arifi, kreu i Lëvizjes për Integrim e Luginës së Preshevës. 

Kthehu mbrapa

Shto koment