Kuvendi Komunal i Gjilanit deklarohet në favor të themelimit të Komitetit dhe Zyrës për Preshevë, Medvgejë e Bujanoc

27.05.2014 (komentet: 0)

 

 

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të martën, në seancën e radhës, të udhëhequr nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ka shqyrtuar dhe miratuar Rregulloren për përgjegjësitë disiplinore dhe materiale të punonjësve të arsimit, Planin e veprimit për transparencë, vendimet për qasje në tri plane rregulluese të qytetit, themelimin e Komitetit dhe Zyrës për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës si dhe çështje të tjera.

 

Seanca e Kuvendit Komunal ka filluar me mospajtime qysh në miratimin e rendit të punës. Bujar Nevzati (PDK) tha se nuk është respektuar afati ligjor prej shtatë ditësh për thirrjen e seancë, ndonëse, siç sqaroi kryesuesja Valentina Bunajku-Rexhepi, kjo ishte bërë me marrëveshje mes grupeve politike në KPF. Po ashtu Nevzati ka parashtruar edhe pyetje në drejtim të kryetarit të Komunës rreth vendbanimit të tij dhe të fëmijëve.  

Duke iu përgjigj këtij interesimi të këshilltarit të PDK-së, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka thënë se këto pyetje ngjasojnë me logjikën e policisë dhe hetuesve, për të nënvizuar faktin se ai banon në Gjilan, prej 24 qershorit 2013, në rrugën, shtëpinë dhe truallin ku ka jetuar prej vitit 1970.

“Nëse kushdo qoftë prej jush këtu e provon të kundërtën, unë jam i gatshëm të jap dorëheqje”, ka thënë Haziri, ndërkaq sa iu përket fëmijëve, ai ka sqaruar se ata janë në shkollim publik në Prishtinë. Kurse sa i përket orarit të punës, Haziri tha se mandati i kryetarit të Komunës, është mision për të realizuar një program dhe nuk ka të bëjë me një orar pune.

Kryetari Haziri është përgjigjur edhe në pyetje e interesime tjera të këshilltarëve të opozitës dhe ka përkrahur propozimin e Fehmi Sylejmanit (VV) që në seancat e Kuvendit Komunal të parashihet pika e deklarimeve jashtë rendit të punës.

Sa i përket ndërrimit të drejtorit të QKMF-së, të cilin e ngriti Fatbardha Selmani (PDK), Haziri sqaroi se riorganizimi është bërë me vullnetin e plotë të palëve dhe ish-drejtori nuk ka shprehur asnjë pakënaqësi. Ndërkaq, sa i përket listës së shërbyesve civilë, të cilën e kishte kërkuar Bujar Nevzati (PDK), kryetari i Komunës, tha se nuk ka pasur asnjë punësim në këtë periudhën prej kur qeveris ai.

Përndryshe, Kuvendi Komunal ka miratuar edhe propozimin për themelimin e Komitetit si dhe Zyrës për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvgejë e Bujanoc, që është përkrahur nga të gjitha grupimet politike.  Sejdulla Kadriu (Vatra), ka thënë se ky është ndër vendimet më të rëndësishme që ka marrë Kuvendi Komunal i Gjilanit në këta 6 muaj. 

Kuvendi ka miratuar edhe rekomandimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, si kërkesë e Drejtorisë së Administratës, për mbulimin e shpenzimeve të shërbimit të pilot-projektit  “Shtëpi-Komuna” për një periudhë 6-mujore.

Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se në Komitetin për Politikë dhe Financa jemi dakorduar që të rekomandojë për Kuvend Komunal kërkesën e Drejtorisë së Administratës, për nxjerrjen e një vendimi për heqjen e shpenzimeve të postës për projektin “Home-Shtëpia”, që qytetarëve u ofron mundësi aplikimi “online” për dokumente të gjendjes civile si dhe marrjen e shërbimit në shtëpi, përmes postës.

Edhe ky rekomandim ka marrë përkrahjen e të gjitha grupimeve politike në Kuvend Komunal, duke marrë parasysh se Gjilani është komuna e parë që ka filluar me projektin “Home –Shtëpia”.

Nazim Gagica, drejtor i Administratës, ka thënë se për të mbuluar këtë shërbim për periudhën 6 mujore, nevojiten përafërsisht 2 mijë euro. Sipas tij, deri tani në adresën elektronike të Drejtorisë së Administratës kanë arritur 412 kërkesa dhe 314 prej tyre i kanë marrë tashmë dokumentet e kërkuara, ndërsa 68 të tjera janë në proces.   

Sa i përket Rregullores për përgjegjësitë më arsim, ku këshilltarët paraqitën disa vërejtje rreth formulimeve e sidomos kërkuan që të ndalohen kurset me nxënës të së njëjtës shkollë ku punojnë mësimdhënësit, sqarime kanë dhënë drejtori i Arsimit Nazmi Musa si dhe përfaqësuesi i kësaj Drejtorie, Bardhyl Syla, të cilët thanë se projekt-rregullorja është hartuar nga komisioni i ekspertëve, i është nënshtruar dëgjimit publik si dhe diskutimit në grupe më të ngushta të mësimdhënësve.

Kuvendi miratoi edhe Planin e veprimit për përmbushjen e transparencës, të cilin e paraqiti Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, ndërsa këshilltarët komunalë kërkuan që ai të zbatohet në praktikë, sepse rrit besueshmërinë e publikut ndaj institucioneve komunale.   

Kuvendarët miratuan edhe propozimet për nevojën e qasjes në planet rregulluese “Qendra”, “Qarku” dhe “Fidanishtja”, të cilat i prezantoi dhe arsyetoi drejtori i Urbanizimit, Valon Shefkiu.

Shefkiu tha se plani për lagjen “Qendra” përfshin një sipërfaqe prej 72 hektarësh, plani i zonës ‘Qarku” kap një hapësirë prej 139 ha, kurse zona “Fidanishte” shtrihet në 107 hektarë. Ai ka thënë se mbeten edhe 300 hektarë zonë urbanen për t`u mbuluar me plane rregulluese në vitin tjetër.

Duke u përgjigjur në disa pyetje të këshilltarëve, Shefkiu sqaroi se te “Fidanishtja” bëhet fjalë për një zonë të re, që nuk ka qenë e përfshirë në plane detaje deri tani, ndërsa sa i përket lagjes “Zabeli”, ai tha se atje është duke vazhduar planifikimi që ka filluar më herët.  

Kuvendi Komunal, me propozimin e Renan Imamit nga komuniteti turk e ka shtyrë për një seancë tjetër zgjedhjen e zëvendës-kryesuesit, meqë komunitetet nuk kanë arritur ende të merren vesh rreth këtij dhe postit të nënkryetarit për Komunitete, ndërkaq Kuvendi Komunal është plotësuar me anëtaren Rina Ahmeti (LDK), e cila erdhi si zëvendësim në vend të Florina Zymberi, që është tërhequr për shkak të konfliktit të interesit me vendin tjetër të punës.

Përndryshe, në pikën e rendit të ditës “Të ndryshme” janë parashtruar mbi 30 pyetje nga këshilltarët komunalë, Imet Rrahmani, Nevzat Rushiti, Bujar Nevzati, Fehmi Sylejmani, Sahit Abazi, Sejdulla Kadriu, Arben Maliqi, Fatbardha Selmani, Riad Rashiti, Isa Agushi,Mevlide Zejnullahu, Arben Mehmeti dhe të tjerë dhe të gjithë ata kanë marrë përgjigje nga drejtorët e sektorëve përkatës.       

 

Zyra për Informim

Kthehu mbrapa

Shto koment