Kuvendi i Gjilanit e përjashton nga seanca anëtarin e saj i cili udhëheq struktura paralele

29.12.2015 (komentet: 0)

 

Gjilan, 29 dhjetor / Kuvendi Komunal i Gjilanit, të mërkurën, në seancën e fundit për këtë vit, të cilën e ka drejtuar kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, e ka përjashtuar nga mbledhja këshilltarin Srgjan Mitroviq, për shkak të emërimit të tij në strukturat paralele të Serbisë dhe refuzimit që të deklarohet nëse i njeh institucionet dhe ligjet e Kosovës, sipas të cilave ai është zgjedhur anëtar i Kuvendit Komunal.   

 

Këtij vendimi i ka paraprirë një debat i gjerë i anëtarëve të Kuvendit, ku janë përfshirë Sahit Abazi (PDK), Selami Xhemajli (AAK), Nevzat isufi (VV), Bujar Nevzati (PDK), Bajram Hasani (Nisma), Riad Rashiti (PDK), Fehmi Sylejmani (VV), Arben Mehmeti (LDK), Avdyl Aliu (LDK) dhe të tjerë, të cilët kanë thënë se Mitroviq nuk mund të jetë edhe në institucionet e Kosovës, edhe në strukturat paralele të Serbisë, të cilat e pengojnë integrimin e komunitetit serb dhe punojnë kundër interesave të Kosovës.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, duke u ndërlidhur me këtë rast, ka thënë se nuk merret me fosile politike.  “Unë nuk merrem me fosile politike, me falanga e me ato pjesë të ndryshkura të Serbisë, që kanë ngelur në Kosovë pas 12 qershorit 1999. Këtë duhet ta vlerësojnë organet e shtetit dhe jo Kuvendet Komunale”, tha Haziri.

Shumica e këshilltarëve komunalë e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në seancë nëse Mitroviq nuk sqarohet rreth këtij rasti, apo nuk largohet nga seanca.

Pas dy pauzave, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila i ka dhënë mbështetje kësaj kërkese të këshilltarëve komunalë, sipas rregullores e ka nxjerrë në votim rastin e Srgjan Mitroviqit dhe Kuvendi, me 29 vota për, ka vendosur përjashtimin e tij nga seanca.

Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se do t`i drejtohen me shkrim MAPL-së, për të marrë përgjigje ligjore në lidhje me këtë rast, ku një anëtar i zgjedhur i Kuvendit Komunal, në të njëjtën kohë bëhet pjesë e strukturave paralele, madje kryetar i të ashtuquajturës Komunë e  Gjilanit.   

Përndryshe, Kuvendi ka votuar për ndryshimin e pjesshëm të projektit të lumit Mirusha, pasi është njoftuar për dinamikën e deritashme të punimeve, ku ka ngecje që prej fillimit, shkaku i shpronësimeve, terrenit të papërshtatshëm dhe mungesës së mjeteve.   

Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës, ka thënë se kjo qeverisje është e interesuar që projektin e lumit Mirusha, të filluar në vitin 2009, ta përfundojë sa më shpejt. Kadriu ka thënë se është kërkesë e qytetarëve, por edhe nevojë e gjendjes në terren, që projekti të ndryshohet pjesërisht dhe pjesa e lumit prej qendrës e deri te lagja Balec, të mbulohet.

Me mbulimin e kësaj pjese krijohet një shëtitore për qytetarë dhe krijohen mundësi për hapjen e bizneseve të vogla në këtë zonë, gjë që do të ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe punësimin, ka thënë Kadriu.

Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se e përkrahin ndryshimin, duke shtuar se edhe atëherë ka qenë kërkesë e qytetarëve që kjo pjesë të mbulohet, por në njëfarë mënyre është injoruar nga projektuesi.

Në favor të revidimit të projektit janë deklaruar edhe Selami Xhemajli (AAK) e Ismet Hajdini (AKR). Meqë është interes i qytetarëve, atëherë duhet të përkrahet mbulimi i këtij segmenti, kanë thënë ata. Në favor të këtij ndryshimi janë deklaruar edhe Nevzad Rushiti e Arben Maliqi (LDK) e Bajram Hasani (Nisma).

Opozita (PDK) ishte kundër ndryshimit të projektit. Ndryshimi është joligjor dhe po bëhet për interesa të ngushta, ka thënë Riad Rashiti (PDK), duke shtuar se ata do ta kundërshtojnë në procedura ligjore revidimin e projektit.

Arsyet për këtë ndryshim të projektit, nuk ishin të mjaftueshme as për VV-në. Megjithatë Nevzad Isufi (VV), ka thënë se ne jemi për çfarëdo zgjidhje që merr parasysh interesat e përgjithshme. Kurse Fehmi Sylejmani (VV) ka kërkuar që të eliminohen dilemat e ngritura, para se të vendoset për ndryshimin e projektit.

Përndryshe, Kuvendi Komunal e ka miratuar edhe rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, të cilën e ka paraqitur Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore.

Po ashtu u miratua edhe kërkesa për financimin e manifestimit “Flaka e Janarit 2016”, të cilën e ka paraqitur Shpresa Kurteshi, kryesuese e Komitetit për Kulturë. Ajo ka thënë se ky është edicioni i 25-të me radhë, i cili pos katër shtyllave kryesore të tij, kësaj here do të ketë si risi edhe festivalin e filmit dhe të fotografisë.

Bujar Nevzati (PDK) pati vërejtje te projekti, duke thënë se është i vonuar dhe i mangët dhe nuk u pajtua as me përbërjen e Këshillit organizativ, ndërkaq tha se e përkrah kërkesën financiare prej 35 mijë eurosh, për këtë manifestim. Leonora Bunjaku pati vërejtje te përfaqësimi gjinor në Këshillin organizativ.

Fehmi Sylejmani (VV) tha se projekti duhet të rishikohet dhe ridizajnohet. Arben Maliqi (LDK) ka kërkuar që manifestimit t`i shtohet edhe pjesa sportive, kurse Sejdullah Kadriu kërkoi që “Flaka....” të shtrihet edhe në Kosovën Lindore, të paktën me ndonjë shfaqje apo pjesë muzikore.  

Kuvendarët e kanë miratuar edhe planin e punës së Kuvendit si dhe orarin e seancave të Kuvendit dhe të Komiteteve për vitin 2016, me disa vërejtje.  

Plani operativ emergjent për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, është shtyrë për seancën e ardhshme, për t`iu dhënë kohë të mjaftueshme anëtarëve të Kuvendit që ta përpunojnë materialin, i cili është shumë vëllimor.

Ndërkaq, në pikën nën të ndryshme, Nazmi Musa, drejtor i Arsimit është përgjigjur në interesimin e këshilltarit Renan Imami rreth vizitës së delegacionit komunal në Turqi dhe përfitimeve që do të ketë arsimi në Gjilan nga ky bashkëpunim.  

Kthehu mbrapa

Shto koment