Kuvendarët e Gjilanit, me vlerësime kontradiktore për gjendjen në arsim

30.10.2015 (komentet: 0)

 

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të premten, në mbledhjen radhës për këtë vit, të cilën e ka drejtuar Valentina Bunjaku Rexhepi, e ka ndryshuar rendin e ditës për të diskutuar për arsimin, me çka ka treguar mirëkuptim ndaj kërkesës së opozitës, por nuk janë dakorduar aspak për gjendjen në këtë sektor. 

Kuvendi vendosi të mos diskutojë për raportin e kryetarit, për periudhën janar-shator 2015, meqë nuk është obligues për 9-mujor dhe për arsye se kryetari ndodhej në një agjendë tjetër, që kishte të bënte me nënshkrimin e marrëveshjes për vazhdimin e projektit të bibliotekës regjionale në Gjilan.

Valentina Bunjaku-Rexhepi e ka vlerësuar këtë një lajm të mirë për Gjilanin, sepse po vazhdon një projekt i lënë në gjysmë prej kohës së qeverisjes së kaluar.              

Bujar Nevzati, në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së, ka thënë se gjendja në arsim është e rëndë dhe sipas tij, ky sektor është politizuar skajshëm. Nevzati tha se nuk janë zbatuar kriteret për regjistrim të nxënësve, nuk është shpallur konkurs për të gjitha vendet e lira, pastaj pati vërejtje për ekskursionet si dhe çështje të tjera në arsim, ndërkohë që sa i përket një videoje që ka të bëjë me drejtorin e arsimit, për kohën kur ai ka qenë mësimdhënës, ku shihet duke e nxjerrë një nxënës nga klasa në mënyrë të dhunshme, ka kërkuar dorëheqjen e tij.

Te akuzat e opozitës për ekskursionet, ku përmendet edhe emri i kryesues së Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka reaguar duke thënë se ajo e ka dërguar rastin në prokurori dhe e pret ditën që të përballet me ata që kanë shpifur për të pa asnjë fakt të vetëm.

Arben Mehmeti, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se situata në arsim është e zakonshme dhe tendenca e opozitës për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme, kishte prapavijë politike. Ai ka nënvizuar faktin se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me arsimin e që kanë qenë interes i opozitës, janë diskutuar në Komitetin e Arsimit dhe asnjëherë nuk ka pasur vërejtje prej tyre. Për më tepër, ai tha se zërat nga opozita për gjendjen e keqe në arsim, janë një alarm i rrejshëm, sepse arsimi është shumë më mirë se sa ka qenë në kohën e PDK-së, e cila e ka politizuar arsimin dhe ka përdorë fshesën kundër kuadrove të LDK-së.

Kurse Nevzad Isufi, shef i grupit të këshilltarëve të VV-së, tha se vend për punë dhe për përmirësime në arsim, ka gjithmonë dhe gjithandej Kosovës, duke shtuar se edhe në Gjilan, ka parregullsi, siç janë punësimet pa konkurs, regjistrimi i nxënësve, anulimi i bursave për studentë, ekskursionet dhe të tjera.

Këtyre shqetësimeve u ka dhënë përgjigje Nazmi Musa, drejtor i Arsimit. Vërejtjet e opozitës për gjendjen në arsim, ai i cilësoi si zhurmë të panevojshme, kurse videon e ka quajtur një shantazh ndaj tij. Pasi i ka numëruar radhazi punët dhe projektet e realizuara gjatë këtij viti dhe më herët, Musa ka thënë se gati në të gjitha shkollat e Gjilanit, drejtorët dhe z/drejtorët kanë qenë të PDK-së në kohën kur ai ka ardhur në krye të DKA-së, ndërkohë që tani ka edhe drejtorë edhe të subjekteve tjera. Ai është shprehur kategorik se drejtorët dhe as zyrtarët e lartë të arsimit nuk do të ndërrohen për arsye politike, por ata mund të largohen nëse bëjnë shkelje ligjore, siç ka ndodhur në shkollën e Bujqësisë, ka thënë ai.

Sa u përket punësimeve, ai tha se nuk është në krye të arsimit për të plotësuar dëshira, por për të zbatuar ligin, derisa ka shtuar se sistemimi i mësimdhënësve që kishin ngelur tepricë teknologjike, është bërë sipas rekomandimeve të MASHT-it dhe brenda mundësive ekzistuese.   

Ndërkaq për ekskursionet e nxënësve, ai ka thënë se janë të parapara me ligj dhe ai nuk mund t`i ndalojë. Musa mohoi që në Mjekësi të jenë hapur paralele të reja, për t`i regjistruar nxënësit që kanë mbetur jashtë dhe nuk duan të shkojnë në shkolla tjera.

Kurse sa i përket një videoje, ku ai shihet duke e nxjerrë jashtë klase një nxënës, që ka ndodhur para 4-5 vitesh, Musa kërkoi falje për sjellje jo pedagogjike dhe sqaroi se ajo është publikuar nga mësimdhënësi Xhelal Bislimi, si formë presioni e shantazhi ndaj tij, për faktin se ka dërguar në komision disiplinor, meqë ka munguar një muaj në punë pa arsye. Musa tha se ky person ka tentuar ta korruptojë e shantazhojë disa herë, por meqë nuk ka mundur, atëherë e ka përdorë edhe këtë formë.

Kërkesave të opozitës për dorëheqje, Musa iu është përgjigjur duke thënë se nuk do ta bëjë këtë për diçka që ka ndodhur para 4-5 vitesh dhe që nuk ka pasur asnjë reagim asokohe, ndërkohë që i ka rikujtuar ata se në Kosovë ka njerëz që janë në burg dhe mbajnë pozitën e kryetarit të Komunës.          

Fehmi Sylejmani (VV) tha se drejtorit të Arsimit nuk mund t`i kërkohet përgjegjësi për një rast që ka ndodhur kur ai nuk ka qenë në këtë pozitë, por atij do t`i kërkohet përgjegjësi për kohën sa udhëheq arsimin dhe ku nuk ka menaxhuar mirë.

Kuvendarët, po ashtu kanë miratuar edhe raportin financiar janar-shtator 2015, që e ka prezantuar drejtori i Buxhetit, Zijadin Maliqi, i cili ka thënë se të hyrat e kësaj periudhe janë për 1.4 për qind më të mëdha se ato të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, kurse në krahasim me planin vjetor, ato janë realizuar deri më tani për rreth 70 për qind.

Inkasimi i të hyrave nga tatimi në pronë, që ka ngecur për shkak të faljes së borxheve  dhe pagesat e gjobave, që vijnë prej gjykatave, do ta përmirësojë dukshëm këtë parametër deri në fund të vitit.

Sa u përket shpenzimeve, Maliqi thotë se ka një ulje të dukshme, në të gjitha kategoritë ku reduktimet kanë qenë të mundshme. Shpenzimet e kësaj periudhe janë për 34 për qind më të ulëta se planifikimi.

Kurse investimet kapitale janë në proces e sipër dhe plani pritet të realizohet qind për qind, thotë Maliqi. Përndryshe buxheti i planifikuar për vitin 2015, është afër 22 milionë euro. Për shpenzime kapitale janë planifikuar rreth 3.6 milionë euro. Të hyrat vetanake janë mbi 3.8 milionë euro.

Nga shefi i grupit ë këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, raporti është vlerësuar një paraqitje reale e punës së ekzekutivit në aspektin financiar, kurse Riad Rashiti, në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së tha se te disa kategori, të hyrat janë të kënaqshme, te disa ka ngecje, kurse shpenzimet, sipas nesh, janë të njëjta me vitin e kaluar. Ai ka ngritur dyshime sa u përket investimeve të raportuara në konferencë bujqësi, duke thënë se në raport nuk figurojnë. Për këtë ka dhënë sqarime drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, duke thënë se në raport nuk janë pasqyruar grantet e qeverisë dhe donatorëve, me të cilat investimet në këtë sektor arrijnë në 2.5 milionë euro. Krenare Latifi (VV) tha se te disa kategori e të hyrave vetanake ka një ngritje të lehtë, por te investimet kapitale ka rënie.

Zijadin Maliqi ka thënë se në raporte periodike nuk mund të dihet saktësisht se sa janë përmbushur objektivat, por kjo do të shihet qartë në raportin përfundimtar. Sa u përket borxheve, ai ka thënë se qytetarët nuk po kërcënohen, siç po thuhet nga opozita, por ata po luten që t`i kryejnë obligime e tyre. “Shpenzimet e përgjithshme janë më të vogla se vitin e kaluar, kurse shpenzimet për dreka zyrtare nuk kanë qenë asnjëherë më të vogla se tani. Investimet do të shihen në fund të vitit, sepse një numër i mirë i projekteve janë në proces e sipër”, ka thënë Maliqi.                   

Kuvendi miratoi edhe vendimin për këmbimin e një pjesë të pronës komunale me pronë private, për nevoja të rrugës publike në lagjen “Zabeli...”, të cilin e arsyetuan Nevzad Rushiti, kryetar i Komitetit të Pronës si dhe drejtori i Kadastrës, Sadudin Berisha.

Kuvendi miratoi edhe statutin e QKMF-së, si rekomandim nga Komiteti për Politikë dhe Financa, ku ky akt normativ ishte diskutuar dhe shqyrtuar paraprakisht, në një seancë të veçant, por këshilltarët e PDK-së e kanë lëshuar sallën në këtë pikë, për shkak të ndryshimit të renditjes së pikave.   

Me vërejtje dhe pas një diskutimi të gjerë u miratua edhe raporti për gjendjen në ndërmarrjen publike “Ecohigjiena”, të cilin e ka prezantuar kryetari i Komisionit të aksionarëve, Xhelal Jestishi.

Përndryshe, këtë seancë, Kuvendi Komunal e ka mbajtur në sallën e re, e cila është përurua sot.



Zyra për Informim

Kthehu mbrapa

Shto koment