Kurti: Kemi nevojë për fabrika e jo për asfalt

12.04.2014 (komentet: 0)

Nuk kemi nevojë për asfalt, por për fabrika, që nga industria e lehtë e deri te Trepça. Kosova më nuk ka tokë për asfalt, për motele e hotele, por për industri e bujqësi, ka thënë Albin Kurti në Gjilan.


“Po të qeveriste Lëvizja Vetëvendosje, do të shihnit një Kosovë që asnjëherë nuk e keni parë”.

Kështu është shprehur kreu i VV-së, Albin Kurti, në një bashkëbisedim me qytetarët e Gjilanit, raporton “rajonipress”.

Kurti tha se prioritet duhet të jetë bashkimi i Mitrovicës, afrim me Shqipërinë drejt bashkimit me të.

“Po u hoq kufiri, rrushi në Rahovec nuk do të kalbet, sepse do të bëhet verë në Shqipëri”, tha Kurti

“Nuk kemi nevojë për asfalt, por për fabrika, që nga industria e lehtë e deri te Trepça. Kosova më nuk ka tokë për asfalt, për motele e hotele, por për industri e bujqësi”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk do të tolerohet korrupsioni, derisa do të ndalen shpenzimet jashtë vendit për shërim e shumë dukuri të tjera.

Ai tha se njerëzit në shoqërinë tonë janë të pabarabartë. Kurti tha se në magjen e të varfërve shteti nuk ka pse i fut duart dhe shtoi se më shumë tatim do të paguanin ata që kanë.

“Kemi nevojë për një shoqëri tjetër fare, të atillë ku do të përkraheshin ata që nuk kanë”, ka thënë Kurti, që ka folur edhe për politika punësimi, zbatim të rreptë të ligjit të punës, hapje të vendeve të reja të punës, punim të çdo pëllëmbe të tokës, rritje të buxhetit për bujqësi e angazhime të tjera.  

Kthehu mbrapa

Shto koment