Kur kanë sy e nuk shohin!

08.05.2015 (komentet: 0)

 

/Me shkas – Druri i gjymtuar pranë Soliterit/

Se jemi qytetarë  të veçantë  për shumëçka nuk ka dyshim. Por se jemi të veçantë në kultivimin e bimëve, drunjve të çmueshëm këtë pak kush e vëren, sidomos ata që janë përgjegjës për hapësirën e gjelbër publike në qytetin tonë.

 

Se jemi gllabërues  të pronës  publike  edhe kjo nuk duhet koment. Para syve të këshilltarëve  komunal, drejtorëve të drejtorive të ndryshme duke filluar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Social, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtoria për Shërbime Publike, Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, në qendër të qytetit ku shumica prej tyre së paku njëherë në ditë pinë kafe, ndodhet edhe druri  (pema) që çuditërisht tani është mbuluar, gjegjësisht është futur nën “mbrojtje” nga rrezet e diellit, nga era, por edhe nga bryma.

Dikur rreth këtij druri i cili tash është nën “ mbikëqyrje”, kanë luajtur fëmijët, pleqtë janë strehuar nga vapa e verës, ndërsa tash nën “hijen” e këtij druri pinë kafe, pushojnë ata të cilët duhet kujdesur për gjelbërimin, pronën publike, dhe nuk e trembin syrin. A e dini pse?  Sepse  sipas strategjisë së tyre, nëse nuk ankohen qytetarët, inspeksioni, gjegjësisht shefat e tyre nuk japin detyra. Së paku kështu deklarohen para qytetarëve kur ata ankohen për të këqijat që ndodhin në shoqërinë tonë. Jo rrallë ndodhë që thonë “mos e këqyrni ju atë se ai është i fortë, nuk e njihni ju.

Një është e sigurt se ky dru ( shih foton) në vjeshtë do të jetë edhe më i “mbrojtur”, nëse deri atëherë nuk ia humbin edhe rrënjët. Si zakonisht kur vendosen mbulojat gjatë verës nëpër terrasat e vendosura në pronat publike, pason mbyllja  me ceradë, dhe shndërrohet  në lokal të mbyllur.

Por  qytetarët megjithatë kanë besim  se herët  a vonë, njerëzit kompetent të cilët pinë kafe nën “hijen “ e këtij druri do ta vërejnë këtë fenomen të pazakontë për shoqërinë e cila pretendon të jetë në gjirin e familjes evropiane./kokaj.net/

Shkrimi ngjashëm këtu 

Kthehu mbrapa

Shto koment