Kryetari Haziri takon kryetarët e këshillave të fshatrave
24.03.2015 (komentet: 0)
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim kryetarët e nëntë këshillave të fshatrave, në të cilin është biseduar lidhur me investimet në këto fshatra për vitin 2015.
Haziri ka dëgjuar kërkesat e kryetarëve të këshillave të fshatrave, që kryesisht kanë të bëjnë me ato në infrastrukturë: rrugë, kanalizim, ujësjellës, e fusha sportive etj.
Kryetari Haziri ka shprehur zotimin e tij se do t’i përfundoj hap pas hapi të gjitha projektet që janë prezantuar për këtë mandat për rregullimin njëherë e përgjithmonë të katërshes së madhe infrastrukturore, problem ky me të cilin akoma ballafaqohen qytetarët e komunës së Gjilanit.
Haziri tha se gjatë vitit të kaluar është punuar shumë në këtë aspekt dhe ka paralajmëruar se edhe në këtë vit do të ketë projekte e investime të mëdha në të gjitha lagjet e fshatrat e komunës së Gjilanit.
Ai u ka bërë apel sërish qytetarëve të Gjilanit që ta paguajnë tatimin në pronë dhe taksat tjera komunale sepse kjo përkthehet me investime të mëdha në lagje e fshatra për t’i mundësuar qytetarëve që të jetojnë dinjitetshëm.
Takimet e kryetarit Haziri me përfaqësuesit e këshillave të fshatrave do të vazhdojnë edhe në ardhmen për t’u koordinuar lidhur me projektet në të gjitha sektorët.