Kryetari Haziri priti në takim myftiun Naim Tërnava - 26 shkurt 2014

26.02.2014 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri së bashku me nënkryetarin Rexhep Kadriu, kanë pritur në një takim pune kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërrnava, i cili shoqërohej nga kryetari i BI-së në Gjilan, Sylejman Osmani me bashkëpunëtorë, me të cilin kanë biseduar për bashkërendimin e punëve në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të Komunës e vendit në përgjithësi.

 
Kryetari Haziri, me këtë rast ka thënë se bashkëpunimi me Bashkësinë Islame, me imamët dhe me xhamtin në Gjilan është shumë i mirë. 

“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me BI-në, imamët por edhe me xhematin. Në programin tim ka një rend të punës për t’i përmbushur kërkesat e besimtarëve, të cilat janë të arsyeshme dhe në shërbim të përmirësimit të gjendjes në përgjithësi”, ka thënë Haziri, duke spikatur vlerën e madhe të kombit shqiptar për tolerancë ndërfetare. 

Kurse myftiu Naim Tërrnava, pasi ka uruar kryetarin për detyrën e re, ka thënë se kjo është një përgjegjësi shumë e madhe, por edhe privilegj të jesh në shërbim të qytetarëve. 
“Është ndjenjë e mirë kur një kryetar si ju ka vullnetin për punë të mira. Më vjen shumë mirë për gatishmërinë që e keni për bashkëpunim të Komunës me Bashkësinë Islame. Kjo është rruga më e mirë. Meqë e keni vullnetin për punë të hajrit, do t’u ndihmoj edhe Zoti. Do të jemi përherë mbështetës në punën tuaj”, ka thënë myftiu Ternava.

Kthehu mbrapa

Shto koment