Kryetari Haziri prezanton kalendarin e punës për vitin 2016

03.02.2016 (komentet: 0)

 

 Në një konferencë për media, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka prezantuar para gazetarëve kalendarin vjetor të aktiviteteve për secilin muaj, ku për muajin janar kryefjala është “Flaka e Janarit”, shkurtin e ka cilësuar si Muaji i Solidaritetit, marsin – Muaji i Bujkut, prillin – Muaji i Ambientit, majin – Muaji i Librit, qershorin- Muaji i Shëndetit, korrikun – Muaji i Diasporës, gushtin – Muaji i Rinisë, shtatorin – Muaji i Sportit, tetorin – Muaji i Tolerancës Fetare, nëntorin – Muaji i Flamurit dhe Dhjetorin – Muaji i Festave.   

 

Kreu i Gjilanit tha se tha se pos 25 shtëpive të ndërtuara në vitin e kaluar për familjet në nevojë, gjatë këtij muaji do të fillojnë së ndërtuari edhe 6 shtëpi të tjera, përderisa ka paralajmëruar se në muajin shkurt do të mbahet mbrëmja e dytë humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”.

Sa i përket sektorit të bujqësisë, Haziri tha se këtë vit do të rriten subencionet për bujqit, duke ua subvencionuar qind për qind farën dhe plehun artificial në mbjelljet pranverore, sikur që do të ketë subvencione edhe për kulturën e re – mjedrën dhe kulturën e duhanit.

Haziri tha se gjatë vitit 2016, prioritet janë investimet publike, ku me mbështetje të qeverisë së Austrisë do të ndërtohet rrejti i kanalizimeve, ndërkaq me investimet e qeverisë zvicerane do të ndërtohet rrjeti i ujësjellësit në fshatra.

“Ka adhur koha që përfundimisht të zgjidhet problemi i ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm. Poashtu, do të ndërtohen rrugët brenda qytetit, ku do t’ju krijojmë qaje personave me nevoja të veçanta si dhe tri hyrje-daljet Gjlan-Prishtinë, Gjilan-Ferizaj dhe Gjilan-Bujanoc. Poashtu, Gjilanin do ta kthejmë në qytet të biçikletave”, tha kreu i Gjilanit.

Ai ka paralajmëruar se sivjet do të ndërtohet edhe rruga e shumë kërkuar Malishevë-Uglarë-Pogragjë.

Kryetari i Gjilanit ka theksuar 2016-ta është vit i grumbullimit të borxheve, ndërsa ka pohuar se Komuna ka paguar shumën më të madhe të borxheve ndaj operatorëve.

“Ky është viti i grumbullimit të borxheve nga ata që i kanë obligime Komunës. Poashtu, ju informoj se si organizatë buxhetore, ne i kemi shlyer shumicën e obligimeve që Komuna ka pasur ndaj operatorëve privat. Borxhet kanë qenë guri n’qafë për Gjilanin”, ka shtuar Haziri.

I pari i gjilanasve ka apeluar qytetarët që ta shfrytëzojnë amnistinë dhe deri në shtator të hyjnë në marrëveshje me Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave për të përfituar nga falja e borxheve.

Krejt në fund, kryetari i Komunës së Gjilanit tha se gjatë këtij viti pret që të vendosjet traseja finale për autostradën, për të filluar menjëherë në vitin e ardhshëm.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment