Kryetari Haziri mbanë takimin publik në lagjen “Dardania”

25.11.2014 (komentet: 0)

 

 Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtorët e drejtorive komunale dhe me bashkëpunëtor të tjerë, kanë mbajtur një takim publik me qytetarët e lagjes “Dardania” në Gjilan, me të cilët kanë bashkëbiseduar për problemet, hallet dhe prioritetet që kanë banorët e kësaj lagje të madhe në qytet me aspektet e infrastrukturës publike.

 

Me këtë rast, kryetari Haziri, ka thënë se problemet, brengat dhe prioritetet e qytetarëve të kësaj lagjeje do të trajtohen me sinqeritet dhe do të inkorporohen në planin e investimeve për vitin 2015 të Komunës së Gjilanit.

Ky është takimi i parë me qytetarët e Lagjes “Dardania”. Ky takim është më tepër informues për t’u njoftuar çka kemi arritur, cilat janë pengesat dhe planet afatshkurta. Poashtu duam të njihemi me kërkesat dhe prioritetet tuaja në mënyrë që të planifikojmë ato gjatë vitit të ardhshëm. Komuna e Gjilanit ka ende shumë probleme financiare, pra jemi në një gjendje të rëndë ngase shpenzimet e mëdha, keq-menaxhim, mungesë e disiplinës buxhetore kanë shkaktuar probleme edhe në investime. Kemi asfaltuar katër rrugë, si ajo e Muharrem Ibrahimit, në rrugën Ali Hadri, kyçja e amvisërive në kanalizimin fekale, ndërhyrja në shkollën “Selami Hallaqi” etj. Tani do të fillojnë së realizuari projekti në Lagjen Dardani i cili do të jetë një park në shërbim tuaj, poashtu edhe një çerdhe, e që ky projekt është fituar si donacion nga Komisioni Europian, në bashkëfinancim me Komunën nga Projekti “Kosova e Bukur”. Kemi programe në infrastrukturë, bujqësi dhe shpronësimet në Lumin Mirusha. Poashtu ai ka thënë se në t♪7 ardhmen planifikohen të rregullohen dy hyrjet në qytet, ajo Prishtinë – Gjilan dhe Gjilan – Bujanoc. Dardania vazhdon të mbetet lagje elitare dhe do të punojmë që mos të degradohet”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërsa, qytetarët Isuf Rexhepi, Eroll Rukovci, Hetem Matoshi dhe qytetarë të tjerë kanë paraqitur kërkesat e tyre kryesisht për investime në infrastrukturë, si në trotuare – rregullim të trotuareve të reja, investimin dhe trajtimin e rrugës kryesore rreth shkollës “Selami Hallaqi”, problemin me ujërat atmosferike te ish “Besi”, parkimi i veturave vend e pa vend, uzurpimet e ndryshme nga disa persona të pandërgjegjshëm, zbritjen e tatimit në pronë etj.

Për të gjitha këto dhe shumë kërkesa të tjera, kryetari së bashku me drejtorët e drejtorive komunale, u kanë dhënë përgjigje qytetarëve, duke i informuar me kohën dhe mundësitë që ka Komuna e Gjilanit për të bërë investime në këtë lagje.

Ndërsa, sa i përket tatimit në pronë, kryetari Haziri ka thënë se tatimi në pronë do të zbritet nga viti 2015 për 15% për të gjitha ekonomitë familjare.

Kthehu mbrapa

Shto koment