Kryetari Haziri ka pritur kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj

10.04.2014 (komentet: 0)

Në konferencën për media, kryetari Haziri, pasi ka falënderuar z. Haradinaj për vizitën, u shpreh se kjo vizitë bënë që të besojmë se Gjilanit po i kthehet vëmendja dhe serioziteti i liderëve politik, e i vendimmarrësve nga niveli qendror.

 

Gjilan, 10 prill 2014 - Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari, kryesuesja dhe drejtorët, ka pritur sot liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin ka biseduar për sfidat, problemet dhe për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

 

“Sot kam kënaqësinë që të falënderoj liderin e AAK-së, ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj për vizitën në Gjilan. Kjo vizitë na bënë të besojmë se Gjilanit po i kthehet vëmendja dhe serioziteti i liderëve politik, i vendimmarrësve nga niveli qendror për krejt atë kohë të diskriminimit buxhetor që Gjilani dhe Anamorava e ka pasur. Besoj shumë që kjo vizitë, kolegialiteti që e ka treguar edhe si ish-kryeministër, e në veçanti pritjet që do t’i kemi pas zgjedhjeve parlamentare, bënë që vërtet ta ketë vëmendjen e z. Haradinaj Komuna jonë, në mënyrë që t’i përballojmë këto sfida që ne i kemi quajtur, siç është mungesa e infrastrukturës bazike, pastaj mungon ajo që duhet me pas kujdesin shtetëror, buxhetor dhe në fund Gjilani të përfshihet në trendët zhvillimore”, tha kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ndërsa, për të treguar se edhe Gjilani është Kosovë, meqë më herët ka qenë i diskriminuar, në shenjë simbolike lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i dhuroi një monografi kryetarit Haziri, që e ka publikuar Akademia e Shkencave me emrin “Kosova”.

“E verëteta është se nga njohjet e mia paraprake, e di se kjo trevë, Gjilani, ka qenë e anashkaluar. Këtë e ka thënë edhe kryetari edhe në fushatën zgjedhore, e kanë thënë edhe subjektet politike, kolegët etj. Meqë jemi në koalicion LDK-AAK, vizita ime e ka këtë mesazh, ashtu siç u shpreh edhe kryetari, në radhë të parë edhe t’i uroj sukses për përgjegjësitë që kanë marrë, por poashtu edhe për t’i shprehur gatishmërinë edhe për një bashkëpunim të mëtutjeshëm sepse  e dimë që i pret shumë punë, nuk e kanë lehtë në Gjilan, meqë ka qenë i anashkaluar nga institucionet qendrore, kanë munguar investimet kapitale të nevojshme. Duke i ditur gjitha këto sfida që i ka Gjilani, shpresoj në ditët më të mira”, ka deklaruar z. Haradinaj.

Deri tash, nga niveli qendror Gjilanin e kanë vizituar dy zëvendëskryeministra dhe pesë ministra.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment