Kryetari Haziri debaton me qytetarët dhe shoqërinë civile për qeverisjen në Gjilan

17.06.2015 (komentet: 0)

 

 Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan ka organizuar sot një debat me temën ”Qeverisja Haziri përballë qytetarëve - shoqërisë civile”.

 

Pos kryetarit Haziri, të pranishëm ishin përfaqësues të medieve dhe shoqërisë civile, me të cilët ka diskutuar për çështje tejet të rëndësishme të qeverisjes komunale në Gjilan.

Fillimisht, kryetari Haziri tha se Komunën e ka gjetur në gjendje tejet të rëndë, me mosdisiplinë buxhetore dhe me borxhe shumë të mëdha, të cilat sipas tij, po përbëjnë problem edhe sot.

Haziri tha se gjatë kësaj periudhe të qeverisjes ka aplikuar një disiplinë të ashpër buxhetore, ‘dietë’ të ashpër në shpenzime dhe duke kursyer në këtë aspekt, theksoi se ka arritur të investoj me të gjitha mundësitë dhe t’i shlyej afro 3 milionë euro borxhe.

“Nëse do t’i kishim pasur në dispozicion këto 3 milionë euro, do të mund të bënim investime shumë të mëdha në të gjitha sferat”, tha ai.

I pari i gjilanasve gjatë përbballjes me shoqërinë civile dhe mediat, ka deklaruar se synimi kryesor ka qenë rikthimi i kujdesit të Prishtinës për Gjilanin në investime dhe se kjo, sipas tij, po arrihet gradualisht.

“Është shumë e rëndësishme që Gjilanin e kemi nxjerrë nga depresioni politik dhe ia kemi kthyer kujdesin e Prishtinës dhe Tiranës”, tha kryetari i Gjilanit.

Megjithëse është ballafaquar me probleme të mëdha, Haziri theksoi se ka bërë punë të mira për qytetarët në shumë aspekte, duke filluar nga infrastruktura, bujqësia, arsimi, kultura, sporti, shëndetësia etj.

“Tashmë përfundimisht do të ndërtohen hyrje-daljet e Gjilanit, ku shumë shpejt do të nis rruga me katër korsi nga kazerma e FSK-së e deri në dalje të qytetit kah rruga e Bujanocit, pastaj ajo prej kanalit tek rruga e Prishtinës e deri tek penda e Livoqit si dhe hyrje-daljet tjera. Kemi subvencionuar bujqit e Gjilanit dhe po vazhdojmë sivjet me subvencione edhe më të mëdha ku qytetarët po përfitojnë në çdo aspekt”, tha ai.

Ai tha se Komuna e Gjilanit ka krijuar siguri për investitorët e huaj, nga të cilët ka shumë interesime për investime.

Lidhur me përfundimin e lumit “Mirusha”, “Baja” e “Stanishorka”, kryetari i Komunës së Gjilanit është shprehur se kanë konkurruar në qeverinë austriake me projekt 7 milionë euro dhe po presin përgjigje pozitive nga ana e tyre.

Përveç investimeve me të gjitha mundësitë komunale, Haziri paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë investime në infrastrukturë në Livoç të Ulët, në rrugën “Muharrem Kurteshi”, në “Mulla Idrizi”, në Lagjen “Arbëria”, atë të “Vishnjeve” në rrugën “Motrat Qiriazi” në fshatin Miresh, Zhegër, Cërnicë etj.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment