Kredia për ujërat e zeza vlerësohet si një nga vendimet më të rëndësishme të Kuvendit

20.10.2016 (komentet: 0)

 Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në një seancë të jashtëzakonshme, që e ka udhëhequr Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ka diskutuar për ujërat e zeza, gjendjen në kompaninë “Ecohigjiena” si dhe për planin aksional të veprimit për integrimin e komunitetit RAE për periudhën 2016-2018.

 

 

 

Kuvendarët, me shumicë votash, vendosën që Komuna e Gjilanit të hyjë në kredi te qeveria austriake, si nevojë për rregullimin e kanalizimeve dhe sistemimin e ujërave të zeza, ndërkaq rasti i kompanisë “Ecohigjiena” i mbetet kryetarit të Komunës që të angazhohet për të gjetur një zgjidhje.

 

Bunjaku-Rexhepi kërkoi nga anëtarët e Kuvendit që të përqendrohen te pikat e parapara dhe të mos insistojnë në çështje të tjera, sepse në një seancë të jashtëzakonshme nuk mund të ndryshohet rendi i ditës.

 

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, duke i inkurajuar kuvendarët që të mbështesin zgjidhjen e problemit madhor të kanalizimeve dhe ujërave të zeza, përmes një kredie të butë nga qeveria e Austrisë, në shumën afër 13 milionë euro, ka thënë se ky Kuvend Komunal po merr sot një nga vendimet më të rëndësishme.

 

Ai është shprehur optimist se në këtë fazë të projektit, që pritet të fillojë deri në fund të muajit dhe do të bëhet sipas standardeve më të larta, do të rregullohen kanalizimet dhe shtretërit e lumenjve, ndërkaq në fazën e dytë, që po punohet të realizohet në bashkëpunim me KE, do të ndërtohet impianti, për t`i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të ujërave të zeza.

 

Detajet e projektit i ka prezantuar Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik, i cili ka thënë se kredia do të merret në përputhje me ligjin për borxhet publike, që u lejon Komunave të marrin kredi. Ai ka sqaruar se kredia merret për një periudhë 15 vjeçare dhe do të fillojë të kthehet pas 6 vitesh e gjysmë.

 

Subjektet politike që përbëjnë koalicionin qeverisës i kanë dhënë mbështetje kësaj nisme, që parimisht është përkrahur edhe nga opozita, por me kushtin që t`i kërkohet qeverisë së Kosovës që ta marrë përsipër kredinë, gjë që nuk ka kaluar në Kuvend. 
Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se sot po votohet projekti më i madh dhe më i rëndësishëm për Gjilanin, që është shumë i nevojshëm për qytetarët e kësaj komune. Mbështetje në emër të grupit, këtij projekti i dha edhe Selami Xhemajli (AAK).

 

Edhe Sahit Abazi (PDK) tha se jemi për miratimin e projektit, por vërejtja e tij ishte se kredia po u mbetet qytetarëve të Gjilanit që ta shlyejnë dhe jo MEF-it, siç është thënë më herët.

 

Nevzat Isufi (VV) tha se është i kënaqur që pjesë e këtij projekti do të jetë edhe lumi Stanishorka, duke uruar që rregullimi i shtratit të saj të mos zgjas sa Mirusha, apo aq sa është afati për kthimin e kredisë.

 

Ndërkohë, PDK ka lëshuar një komunikatë, ku thotë se propozimi i tyre për financimin e projektit nga qeveria e Kosovës, u votua kundër nga këshilltarët e LDK-së. Përndryshe, ata kanë thënë se e përkrahin këtë projekt, por ishin kundër futjes së Komunës në borxhe.

 

Në debat janë përfshirë edhe anëtarët tjerë të Kuvendit. Isa Agushi (LDK) ka thënë se kredia po merret për të zgjidhur një problem madhor, jo për dreka e darka. Bajram Hasani, këshilltar i pavarur, tha se edhe borxhet e kaluara janë investuar diku. Sipas tij, më e mira do të ishte sikur të sigurohej një donacion për këtë projekt dhe jo të hyjmë në borxhe.

 

Riad Rashiti (PDK) ka shprehur dyshime nëse kredia do të lejohet nga austriakët, duke përmendur problemin në “Ecohigjienë”, ku partner është një kompani austriake, por edhe nëse ndodh, Komuna duhet të kërkojë nga qeveria që ta marrë këtë obligim, ka thënë ai.

 

Ismet Hajdini (AKR) ka kërkuar të mos politizohen investimet. “Ne jemi këtu për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe jo për t`i politizuar projektet”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka nevojë të brengosemi për borxhin, sepse, siç ka thënë ai, sot nuk ka shtet në BE që nuk është në kredi.

 

Edhe Fehmi Sylejmani (VV), i cili ka thënë se zgjidhja e problemeve me kredi nuk është për mburrje, është pajtuar me propozimin që kredia t`i lihet qeverisë. Arben Maliqi (LDK) e ka cilësuar projekt gjigant trajtimin e ujërave të zeza dhe ka kërkuar që këshilltarët komunalë të jenë bashkë, ndërkohë që Nevzad Rushiti (LDK) i ka rikujtuar ata se kredi për rregullimin e infrastrukturës kanë marrë edhe Prishtina, Peja, Gjakova dhe të tjera dhe Gjilani nuk është komuna e parë që merr hua.

 

Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi sqaroi se sipas marrëveshjes më qeverinë austriake, qeveria e Kosovës obligohet të garantojë pagesën e kredisë. Ajo e ka hedhur në votim edhe propozimin e opozitës për t`i kërkuar qeverisë që ta merr përsipër kredinë, por nuk i ka marrë votat e mjaftueshme.

 

Sa i përket raportit të punës së Komisionit të Aksionarëve në “Ecohigjiena”, ku po ashtu është zhvilluar debat i gjerë, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka kërkuar që të mos politizohet gjendja në këtë kompani.

 

“Sot, ne po e përmbushim një detyre ligjore. Komisioni i Aksionarëve ka obligim që ta paraqes raportin dhe të gjeturat në kompani. Po ashtu, ne po i koordinojmë aktivitetet me Këshillin e Punëtorëve, në mënyrë që ta normalizojmë punën”, ka thënë ai.

 

Kryetari Haziri ka kërkuar nga asambleistët e Kuvendit që të ndihmojnë normalizimin e kompanisë, duke i rikujtuar ata se Kuvendi Komunal është bartës i kontratës.

 

Xhelal Jetishi, kryesues i Komisionit të Aksionarëve në “Ecohigjiena” ka thënë se partneriteti publiko-privat nuk është kundërshtuar asnjëherë prej tyre, por çështja është se nuk janë përmbushur obligimet nga partneri privat.

 

Gjendja në kompani është vlerësuar e rënduar edhe nga Avdyl Aliu (LDK), i cili ka sugjeruar që t`i jepet përkrahje kryetarit të Komunës që të angazhohet për zgjidhjen e problemit.

 

Sipas Riad Rashitit (PDK), fajtorë për këtë gjendje në “Ecohigjienë” janë të dyja palët, sepse ka munguar bashkëpunimi i ndërsjellë. 

Selami Xhemajli (AAK) ka thënë se Komisioni i Aksionarëve ka konstatuar mos përmbushjen e obligimeve nga partneri privat dhe ne duhet të insistojmë që këto obligime të përmbushën, ka thënë ai.

 

Nevzad Isufi (VV) ka thënë se mos përmbushja e obligimeve nga partneri privat, është problem serioz. “Duhet t`i kërkohet këtij partneri që brenda një afati të caktuar t`i përmbushë kushtet e kontratës, ose ndryshe kontrata duhet të rishikohet”, ka thënë ai, duke sugjeruar që zgjidhja të kërkohet përmes një komisioni neutral.

 

Isa Agushi (LDK) ka qenë më i ashpër. Sipas tij, gjendja në “Ecohigjienë” është e pa tolerueshme. Komisioni i Aksionarëve injorohet nga partneri privat, i cili quhet investitorë në marrëveshje, por në realitet nuk ka investuar asgjë, pos që i ka shitur asetet publike.

 

Ai ka kërkuar që në këtë kompani të caktohet urgjentisht një ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv, sepse “Ecohigjena” ka mbetur pa zot shtëpie, ka thënë Agushi.

 

Ibish Ibishi (AAK) ka thënë se raporti i partnerit privat, shumë pak i përgjigjet realitetit, sepse vetëm 9 për qind të investimeve janë realizuar. “Ky nuk është partneritet”, ka thënë ai.

 

Edhe Leonora Bunjaku (PDK) ka thënë se nuk ka arsyetime për mos përmbushje të obligimeve. 

Fehmi Sylejmani (VV) ka propozuar që Kuvendi të formojë një komision për vlerësimin e gjendjes, i cili do të udhëhiqet nga opozita. Komision ka propozuar edhe Sahit Abazi (PDK), por ai e ka quajtur komision lehtësues, i cili do t`i ofronte palët në këtë kompani, për të punuar bashkërisht në tejkalimin e situatës së krijuar.

 

Valentina Bunjaku – Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal ka thënë se ne i kemi aksionarët në këtë kompani dhe nuk kemi nevojë për komisione shtesë atje. “Kuvendi Komunal nuk është ai që vendos për prishjen e këtij partneriteti”, ka thënë ajo dhe ka kërkuar nga grupimet politike në asamble që t’i lihet kohë kryetarit të Komunës ta zgjidh këtë situatë, në bashkëpunim me partnerin privat.

Kthehu mbrapa

Shto koment