KPF rekomandon për Kuvend ndryshimet në statutin e Komunës

30.10.2014 (komentet: 0)

 

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e së mërkurës, që e kryesoi Valentina Bunjaku-Rexhepi, i ka rekomanduar për Kuvend Komunal, Raportin financiar janar-shtator 2014, Statutin e Komunës, me ndryshimet e propozuara, Raportin e auditimit për vitin 2013, dy kërkesa për kompensimin e borxhit, njëra ndaj një qiradhënësi e tjetra ndaj Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës si dhe një Informatë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

 

Interesim e anëtarëve të KKF e ka tërhequr më së tepërmi ndryshimi i statutit të Komunës. Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se komisioni për akte normative e ka sjellë në KPF vetëm një propozim të statutit, nga dy versione sa ishin në takimin e kaluar, me çka ka bërë një punë të mirë, sepse i ka harmonizuar dallimet e mëparshme.        

Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore ka sqaruar se ndryshimet kanë të bëjnë me riorganizimin e administratës komunale, ku është reduktuar numri i drejtorëve dhe zyrave, ndërsa është shtuar Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar si dhe Komiteti Konsultativ për Planifikim.

Duke dhënë sqarime në vërejtjet e anëtarëve të KPF, kryesisht të opozitës, për mungesë të arsyetimit te disa ndryshime, Matoshi ka thënë se riorganizimi i administratës komunale është kompetencë e kryetarit të Komunës.

Me sugjerimet dhe vërejtjet e anëtarëve, ku përfshihet edhe propozimi i Selvete Shurdhanit për themelimin e Komitetit për barazi gjinore, KPF e ka rekomanduar statutin për seancën e ardhshme të KK, që parashihet të mbahet më 6 nëntor.

Kurse sa u përket kërkesave për kompensimin e borxhit, sqarime ka dhënë Sadri Arifi, shef i Shërbimit ë Kuvendit, i cili ka thënë se bëhet fjalë për një borxh prej 5.470 euro, për rrymë dhe ujë ndaj pronarit Feim Zylfiu, objekti i të cilit ishte kontraktuar nga Komuna me qira, për nevoja banimi të 9 familjeve sociale.

Në rastin e dytë, Komuna është obliguar me një vendim të Gjykatës që Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës t`i paguajë një borxh të mbetur për shfrytëzimin e një ish-objekti shoqëror, që ka rezultuar të jetë i kësaj organizate.

Ndërkaq, sa u përket borxheve të trashëguara nga qeverisja e kaluar, Ilmi Limani, drejtor financiar, ka sqaruar se deri më tani janë shlyer rreth 1.9 milion euro, ndërsa kanë mbetur edhe 2.2 milionë euro të tjera.

Sahit Abazi, në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së ka kërkuar që në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal, të sillet një informatë për numrin e të punësuarve me kontrata në vepër, ndërsa Bujar Nevzati (PDK) ka kërkuar informatë për ndërtimet pa leje si dhe për fillimin e vitit shkollor dhe gjendjen në arsim.

Duke mos u pajtuar me kryesuesen e Komitetit, e cila sqaroi se informata për arsim është dhënë në seancën e kaluar, të cilën opozita e kishte lëshuar në pjesën e dytë, Nevzati ka thënë se mbetet pranë kësaj kërkese, sepse nuk i intereson çka është llomotitur në seancën e kaluar, gjë që nxiti reagimin e kryesues Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila tha se kjo është mungesë e edukatës familjare dhe institucionale.

Pas pak çastesh, Nevzati reagoi duke thënë se e tërheq këtë fjalë.

kokaj.net

Kthehu mbrapa

Shto koment