KPF rekomandon për Kuvend Komunal propozim-buxhetin 2015

23.09.2014 (komentet: 0)

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka miratuar të martën projekt-buxhetin për vitin 2015 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2016-2017, draft-rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2015, ndryshimet dhe plotësimet në Statutin e Komunës, planin komunal për efiçiencë të energjisë, propozimin-vendimin për qasje në revidimin e planit rregullues “Qendra 4”, lejimin e këmbimit të një prone komunale me një pronë private në lagjen “Zabeli” për nevoja të rrugës publike dhe i ka rekomanduar ato për Kuvend Komunal si dhe është njoftuar me Raportin e Auditimit për vitin e kaluar.

 

 

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se KPF-së i kanë arritur edhe tri kërkesa të studentëve të Gjilanit, të cilët studiojnë jashtë vendit dhe kanë nevojë të ndihmohen materialisht. Ajo ka kërkuar nga KPF që këto kërkesa t`i rekomandojë në Kuvend Komunal dhe atje të hapet një debat edhe për mundësitë buxhetore të Komunës, për të mbështetur kërkesa të tilla.

 

Propozim-buxhetin 2015 e ka arsyetuar Ilmi Limoni, drejtor financiar, i cili ka thënë se buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin fiskal 2015, është 21.839.768 euro. Kjo shumë sigurohet nga granti qeveritar - 17.979.815 euro dhe të hyrat vetanake  - 3.859.953 euro. Ky buxhet do të shpenzohet për paga - 14.150.000 euro, për mallra dhe shërbime - 2.857.491, për shpenzime komunale - 562.200 euro, për subvencione - 674.000 dhe për investime kapitale - 3.596.077 euro.

 

Limoni tha se problem i veçantë për komunën e Gjilanit është granti për arsim, që nuk është i mjaftueshëm. Sipas tij, ngritja e pagave në arsim është bërë pa mbulesë. Edhe Zijadin Maliqi (LDK) tha se 2015-ta do të jetë në vit i vështirë financiar me këtë buxhet që është planifikuar.

 

Kurse Bujar Nevzati (PDK), duke u pajtuar me këto shqetësime, tha se gjendja në arsim mund të përkeqësohet sa i përket anës buxhetore, nëse nuk ndërmerret ndonjë hap më i rëndësishëm në nivel të vendit. Edhe Nevzat Isufi (VV) tha se arsimi ka nevojë për rritje të buxhetit dhe jo për zvogëlim të tij.        

 

KPF ka rekomanduar edhe ndryshimet dhe plotësimet në Statutin e Komunës, të cilat, siç tha Hebzi Matoshi nga komisioni statutar, ishin të nevojshme për shkak të ndryshimeve në përbërjen e numrit të anëtarëve të Kuvendit, si pasojë e regjistrimit të popullsisë dhe me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe funksionalizimit të punës në administratën komunale.

 

Ndryshimet dhe plotësimet në statutin e komunës, janë propozuar në dispozitat të cilat prekin çështjen e numrit të përbërjes së anëtarëve të Kuvendit, numrit të drejtorive dhe çështje tjera që lidhen me funksionalizimin e organeve komunale. Me statutin e ri parashihet reduktimi i komiteteve dhe drejtorive sikurse edhe një riorganizim i zyrave, ka thënë Matoshi.

 

Valentina Bunjaku-Rexhepi kërkoi që KPF t`i rekomandojë për Kuvend Komunal të dy propozimet, gjë që pajtua edhe opozita. Sahit Abazi (PDK) tha se në Kuvend do të kërkohen arsye nga kryetari i Komunës, pse është e nevojshme të reduktohet numri i drejtorive.       

  

KPF ka rekomanduar edhe rregulloren për tatimin në pronë, të cilin e ka arsyetuar Ilmi Limoni, drejtor financiar. Ai ka thënë se për vitin 2015 është paraparë një zbritje e bazës tatimore, meqë norma tatimore nuk mund të ndryshohet sepse është e përcaktuar nga niveli qendror.

 

KPF, po ashtu ka rekomanduar edhe Planin komunal për efiçeincë të energjisë. Sokol Haziri, drejtor për Shërbime Publike, ka thënë se përmes kësaj strategjie, që është obligim ligjor, synohet reduktimi i konsumit të energjisë elektrike, përkatësisht shfrytëzimi sa më racional i resurseve ekzistuese.

 

Po ashtu, për Kuvend Komunal u rekomandua edhe kërkesa e Grupit të Grave të Gjilanit për ndarjen e një shumë të mjeteve për aktivitetet e këtij grupimi, që u paraqit nga Selvete Shurdhani dhe u përkrah edhe nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal.

 

KPF rekomandoi për Kuvend Komunal edhe propozimin e Komitetit të Arsimit për anulimin e vendimit për kriteret e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë. Bujar Nevzati, ish-drejtor i Arsimit, tha se nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal për kritere, por ato kanë qenë kritere të Komitetit të Arsimit, prandaj nuk është e nevojshme të ketë rekomandim për anulim të vendimit.

    

KPF rekomandoi edhe kërkesën e qytetares Florije Mehmetit, e cila ka kërkuar ndihmë financiare në operimin e syve.         

Kthehu mbrapa

Shto koment