Kosovën do ta zhvillojë Alternativa Qeverisëse e VETËVENDOSJE!-s

13.04.2014 (komentet: 0)

Dje, në Gjilan, Lëvizja VETËVENDOSJE! në një tubim para qytetarëve bëri prezantimin e njerëzve të rinj që iu bashkëngjitën Lëvizjes dhe hapat kryesorë për realizimin e Alternativës së saj Qeverisëse.

 

Në këtë tubim morën pjesë edhe Dardan Molliqaj, sekretar organizativ, prof.Elvis Hoxha, anëtar i Këshillit të përgjithshëm dhe Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Tubimin e hapi koordinatori i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Gjilan, Ismail Kurteshi, i cili duke folur për mobilizimin dhe ristrukturimin e kësaj qendre i prezantoi disa nga figurat më të njohura të Komunës së Gjilanit e të cilët kanë aderuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Në VETËVENDOSJE! tani janë dhe Shemsi Syla, kolonel, Kurtesh Sherifi, profesor doktor, Selajdin Avdullahu, veprimtar, Arban Hoxha, veprimtar,  Shpresa Huruglica, mjeke, Salih Llapashtica, mjek, Shefket Musliu, veprimtar, Nehat Osmani, aktivist i çështjeve të sportit.

Në emër të të porsaardhurve, një fjalë rasti e mbajti Shemsi Syla, i cili ndër të tjera tha se -"jemi sot në VETËVENDOSJE!, sepse kjo Lëvizje e mbajti fort platformën kombëtare, dha shumë, ndërsa ne i kemi mbetur borxh, sepse nuk e përkrahëm që nga dita e parë. Koha sot po thërret që të bashkohemi në këtë alternativë që është e vetmja për realizimin e synimeve tona", - përfundoi Shemsi Syla.

Sekretari organizativ, Dardan Molliqaj tha se ristrukturimi e ka ngritur nivelin organizativ si dhe e ka bërë VETËVENDOSJE!-n subjekt ku njerëzit e gjejnë mundësinë për ndryshim. "Sot, ata që vinë në Lëvizje janë të lidhur pas konceptit dhe Alternativës së saj. Lëvizja VETËVËNDOSJE! do të angazhojë shumë personalitete nga fusha të ndryshme, për ta bërë ndryshimin", - nënvizoi Molliqaj. Duke folur edhe për mirëqeverisjen në Prishtinë, theksoi se kur ekziston vullneti, atëherë realizimi nuk mungon. "Ashtu siç e ka mundur Shpend Ahmeti Isa Mustafën në Prishtinë, këtë herë do ta mund Albin Kurti, Hashim Thaçin në nivel Kosovë", përfundoi Dardan Molliqaj.

Profesor Elvis Hoxha, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se - "VETËVENDOSJE! nuk është më vetëm për Kosovën kriter ndërgjegjeje, por për të gjitha trevat shqiptare. VETËVENDOSJE! është vendi ku shpirti bashkohet me politikën", - iu drejtuar ai pjesëmarrësve.

Ndërkaq Albin Kurti, me Alternativën qeverisëse në dorë tha se - "ky është libri më i rëndësishëm në krejt Kosovën për momentin, sepse në të kombinohen vullneti politik, interesi i përgjithshëm, por njëkohësisht edhe zgjidhjet konkrete në kuadër të botëkuptimit tonë për një zhvillim të qëndrueshëm që garantohet prej një shteti të ri, prej një Republike tjetërfare, që e mendon dhe do ta realizojë Lëvizja VETËVENDOSJE!".

Partitë në Kosovë, - tha Kurti, - ia përshtatin programin liderit. Në VETËVENDOSJE! ne i përshtatemi konceptit, sepse ne e kemi zgjedhur interesin e përgjithshëm mbi atë privat.

Po ashtu, ai theksoi se "shteti bëhet i drejtë, zhvillimor dhe social me pushtetin e VETËVENDOSJE!-s.

Në vijim, Kurti i prezantoi në detaje zgjidhjet sipas shtyllave kryesore të Alternativës Qeverisëse duke nënvizuar: Tatimi Progresiv si Tatim të drejtë, Rimëkëmbjen e industrisë prodhuese,  të drejtat e punëtorëve dhe organizim sindikal, bujqësi që zëvendëson importet, Arsim pa pagesë dhe i lidhur me ekonominë, sigurime shëndetësore publike, rritje e pensioneve si solidaritet midis gjeneratave, politikë e bashkimit të Mitrovicës dhe kombit, banka për zhvillim,e  jo për fajde, sovranitet ekonomik mbi pasuritë natyrore dhe ligj për barazi dhe konfiskim i pasurisë së paligjshme.

Kthehu mbrapa

Shto koment