Korça: Për nëntë muaj realizuam qindra projekte infrastrukturore në të mirë të gjilanasve

03.11.2015 (komentet: 0)

Drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Naser Korça, në një konferencë për media, ka bërë prezantimin e punëve që janë bërë në këtë sektor për nëntë muaj, duke nisur nga investimet në asfaltime të rrugëve, trotuareve, kanalizimit, ujësjellësit, ndriçimit publik e deri tek mirëmbajtja dhe inspektimet komunale në kuadër të kësaj drejtorie.

 

Me këtë rast, Korça ka thënë se janë të përkushtuar në ngritjen e ofrimit të shërbimeve për qytetarë dhe mbështetjen përmes investimeve të projekteve në infrastrukturën publike.

 

“Qëllim yni, pos aspektit të përgjegjësive që ka kjo drejtori, është edhe ngritja e ofrimit të shërbimeve më të shpejta ndaj qytetarëve. Prej rreth 1200 lëndëve që janë drejtuar në këtë dikaster, 1100 lëndë janë të miratuara, një e pezulluar dhe të tjerat në shqyrtim e sipër, që tregon për punën e madhe që bëhet në këtë resor, krahas të gjitha përgjegjësive të tjera që kemi në fusha të ndryshme të menaxhimit dhe kontrollit publik”, ka thënë drejtori Korça.

 

I pari i Shërbimeve Publike ka prezantuar vlug të madh të punëve edhe në projektet kapitale të cilat janë përgjegjësi e kësaj drejtorie në gjithë hapësirën e Komunës së Gjilanit.

 

“Projektet kapitale, jashtzakonisht të rëndësishme për qytetarët e Gjilanit, duke nisur nga mirëmbajtja verore e rrugëve, pastrimit dhe kujdesjen për hapësirat e gjelbra, sinjalizimin horizontal e vërtikal, ndriçimin publik dhe mirëmbajtjen e tij, investimi në rrugët e rendit të tretë dhe investime të tjera në fshatë dhe qytet, janë pjesë e angazhimit të përditshëm të zyrtarëve të kësaj drejtorie, në mënyrë që qytetarët të marrin këto produkte përditë e më të mira”, tha Korça, duke shtuar se kjo është vetëm një pjesë nga përgjegjësia shumë e madhe që i takon kësaj drejtorie.

 

“Në këtë periudhë nëntë mujore kemi mbi 14 mijë metra katrorë rrugë të sanuara, pastaj rreth 14 mijë metra katrorë shtresë të asfaltit, rreth 600 trupa të ri ndriçues me rreth 40 km kabëll elektrik për ndriçim, janë hapur dhe trajtuar me zhavor mbi 70 rrugë në fshatra, pastaj mbi 80 km rrugë të renovuara dhe shtruara dhe shumë aktivitete të tjera nga kjo fushë, dhe këto shifra kanë bërë që të kemi edhe mbështetjen e qytetarëve dhe të donatorëve”, ka thënë ai, ndër të tjerash.

 

Gjithashtu, siç ka thënë Korqa, është vazhduar sipas kontratës edhe tërheqja e veturave nga komunikacioni, që përkthyer në shifra del të jenë tërhequr mbi 500 vetura, për shkak të pengimit apo mosrespektimit të rregullave të komunikacionit.

 

Ai tha se edhe projekti për ofrimin e shërbimeve të varrimit është duke shkuar në bazë të kontratës, nga kompania e cila ka këtë përgjegjësi.

 

Drejtori i Shërbimeve Publike ka dhënë edhe detaje të tjera sa i përket projekteve të vogëla dhe inspektimit.

 

“Në këtë fazë raportuese të vitit 2015, janë rregulluar mbi 600 metra rrjet i ujërave të zeza, rreth tre mijë metra katrorë kubëza betoni dhe trotuar. Projektet tjera që kanë nisuar apo presin të nisin e që janë realizuar me Departamentin e Prokurimit, e që tani janë përgjegjësi e kësaj drejtorie, janë edhe investimet dhe realizimi i rrugëve në drejtim të Zabelit të “Sahit Agës”, asfaltimi i rrugëve në krahun kah deponia e mbeturinave, asfaltimi i rrugës në fshatin Përlepnicë, rrugës në drejtim të Bujanocit, rrugëve në fshatin Shillovë, Zhegër, Arbëri, Dobërçan, Livoq i Ulët, Velekincë, dhe rrugë të shumta në qytet. Pas angazhimeve dhe përkushtimit është në realizim rregullimi i varrezave të dëshmorëve dhe anagazhime që bëjnë të rrisin vlugun e punës dhe gatishmërinë për investime shtesë”, ka thënë Korqa, duke potencuar se në realizim janë edhe projekte të tjera.

 

“Është në realizim rregullimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik në rrugën Gjilan – Velekincë, pastaj në fshatin Dobërqan, projekti për ujërat atmosferike në rrugën “15 Qershori”, pastaj kanalizimi në lagjen e vishnjeve dhe projekte të tjera me rëndësi për Gjilanin.

 

Sfidë e kësaj drejtorie mbeten reshjet e shumta gjatë këtij viti që kanë shkaktuar vërshime në qytet e fshat, si pasoj e gjendjes jo të mirë të lumenjve dhe papastërtisë së madhe në to, pastaj caktimi i lokacionit për varrezat e qytetit, pastrami i lumenjve, ndërtimi i kolegtorëve, zbatimi i planit për mobilitetin në trafik, numri i madh i taksive pa leje, caktimi i lokacionit për tregun e kafshëve, druve dhe rërës, ndërtimit të autoparkut për makina të aksidentuara dhe sfida të tjera, të cilat për të mbajtur lidhjen e fuqishme mes Komunës dhe qytetarëve në ofrimin e shërbimeve, kërkojnë mjete buxhetore shtesë në këtë sektor shumë të gjërë.

 

Krejt ne fund, drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, ka thënë para gazetarëve se do të merren masa ndaj atyre operatorëve të cilët nuk i kryejnë punët sipas kontratës dhe planit dinamik, duke paralajmëruar shkëputjen e kontratave.

Kthehu mbrapa

Shto koment