Korça: Për herë të parë Gjilani nis me mirëmbatjen verore të rrugëve në prill

17.05.2016 (komentet: 0)

 Me aktivitete të shumta, projekte të ndryshme dhe gatishmëri 24 orë në shërbim të qytetarëve, janë vetëm disa nga raportimet në konferencën për media për periudhën janar-mars 2016, nga drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Naser Korça, karshi edhe shumë projekteve kapitale dhe zhvillimore për Komunën e Gjilanit.

 

Korça tha se mirëmbajtja dimërore e rrugëve është projekti që është realizuar në të gjitha rrugët e Gjilanit pa vonesa, dhe duke përfshirë rrugët në fshat e qytet, pastrimin dhe mirëmbajtjen e shesheve, parqeve dhe trotuareve.

“Kjo periudhë e vitit përherë është e ndjeshme me reshjet që ndodhin në këtë kohë. Falë intervenimit tonë në pastrimin e lumenjve dhe investimin e Komunës edhe në rrjetin e kanalizimit, këtë vit kemi rënie të dukshme të problemeve sa i përket kësaj natyre. Është bërë pastrami i lumenjve, hapja e kanaleve, debllokimi i tyre në disa zona, këtë vit nuk kemi fare problem në këto pjesë sepse puna e bërë me kujdes dhe përkushtim ka bërë të mundur që problemet e vërshimeve në këtë pjesë t’i mbeten vetëm të kaluarës”, ka thënë drejtori Naser Korça.

Ai ka potencuar se pastrami i lumenjve është vazhduar edhe këtë vit, krahas edhe mirëmbajtjes dhe intervenimit na parqe dhe hapësira të gjelbëruara, mbjellje të luleve, kujdesit të veçantë të hapësirave të tjera publike në pjesë të ndryshme të qytetit etj.

Drejtori i Shërbimeve Publike ka theksuar se për herë të parë pas shumë vitesh, këtë vit në Gjilan mirëmbajtja verore ka nisur me kohë dhe shumë shpejt do të bëhet mbyllja e gropave dhe rregullimi i tërësishëm rrugës Gjilan – Pogragjë dhe rrugëve të tjera.

“Rruga e degraduar jashtëzakonisht shumë në drejtim të fshatit Pogragjë do të asfaltohet tërësisht, sepse gjendja në të cilën është ajo tani ka kërkuar intervenim të tillë”, ka pohuar Korça.

Ai ka përmendur një sërë projektesh të cilat janë në realizim e sipër.

“Projektet të cilat janë në realizim e sipër është projekti i hyrje-daljes së rrugës në drejtim të Bujanocit, rrugës në fshatin Shillovë, rrugës në fshatin Miresh i Vogël, Bresalc, Livoç i Epërm, Cërrnicë, pastaj rregullimi i kanalizimit në qerdhen “Ardhmëria I”, investimeve në shkollën “Selami Hallaqi”, ka precizuar drejtori i Shërbimeve Publike.

Gjithashtu, drejtori Korça ka bërë të ditur edhe gatishmërinë që ka kjo Drejtori, respektivisht inspektorët e saj, në ilegalitetit të operimit të taksistëve në këtë qytet.

“Definitivisht nuk ka lehtësim për informalitetin, sepse rendi dhe ligji është i njëjtë për të gjithë dhe obligim për të gjithë”, tha ai.

Ndryshe, gjatë këtyre ditëve është bërë edhe pastrami i deponive të egra që janë krijuar prej vitesh në lagjen “Avdullah Presheva”.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment