Komuna nuk po gjen “ilaç” për eliminim të rrezikut nga qentë endacakë

19.01.2016 (komentet: 0)

Përkundër veprimeve të herëpashershme që merren për të eliminuar një rrezik të mundshëm për qytetarë, nga qentë endacakë, ata në Komunën e Gjilanit përherë bëhen temë aktuale. Kjo, për faktin se qentë endacakë rrugëve të komunës kanë kthyer shqetësimin e qytetarëve, për rrezikun prej tyre, sidomos në këto ditë të ftohta kur supozohet se ata mund të jenë më të rrezikshëm.

Rreziku vije sidomos në orët e mëngjesit apo në mbrëmje dhe më të rrezikuarit janë nxënësit apo edhe kalimtarët, ata që shkojnë herët në punë, apo edhe kthehen vonë në shtëpitë e tyre. E përjashtim nga ky rrezik nuk bëjnë as lagjet në qytet, por as fshatrat përreth. Edhe kjo foto e bërë në mëngjes (ora 07:40), në fshatin Livoç të Epërm, është tregues për rrezikshmërinë e përhershme që paraqesin qentë endacakë, sidomos kur janë në grup.

 

Ndërkohë, Komuna e Gjilanit duket se nuk ka ndonjë “ilaç” për këtë punë. Dikur vriteshin qentë endacak, si preventivë për t’u ruajtur jeta e qytetarit, pastaj u provua me trajtimin human të tyre duke u kapur dhe dërguar në strehimore, por që nuk zgjati shumë, pasi si duket nuk ka gatishmëri prej përgjegjësve për të ndarë mjete më shumë për një projekt të tillë, që në mënyrë permanente do ta largonte këtë rrezik nga rruga.

 

Trajtimi human i qenve, duke filluar nga kapja, e deri tek strehimi i tyre në strehimore, ku pastaj duhet të bëhet mirëmbajtja, ushqimi, mjekimi, rehabilitimi, sterilizimi, pastrimi, kastrimi, etj, duket se ka kosto, e që institucionet relevante, tani për tani, nuk po tregohen të gatshme për të siguruar mjete për këtë çështje.

 

Në anën tjetër, qytetarët kërkojnë marrjen e përgjegjësisë nga institucionet, sa nuk është bërë vonë me shënimin e ndonjë rasti fatkeq. Ata kërkojnë që institucionet të mos tregojnë neglizhencë e të mos presin për reagime pasi të ndodhin rastet tragjike. Në këtë anë kemi pasur raste të raportuara nga qytetarët se janë sulmuar nga qentë endacakë.

 

Përndryshe, deri sa të merret ndonjë masë adekuate, qytetarëve u mbetet të kenë kujdes e të ruhen vet, t’i shoqërojnë fëmijët e tyre në shkollë, por edhe kur ta kenë ‘zorin” patjetër për të kaluar në një rrugë ku ka prani të qenve endacakë, “të egërsuar” edhe nga dimri, të kthehen mbrapa, (ka raste të tilla), apo të kërkojnë ndihmë nga institucionet emergjente,  si nga policia! /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment