Komuna joserioze rezulton me shumë probleme për qytetarët

21.07.2015 (komentet: 0)

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan mbajti sot konferencë për media lidhur me disa nga problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Gjilanit. Qeverisjen gati dyvjeçare të Lutfi Hazirit e karakterizojnë vizita të shumta të personaliteteve të ndryshme si ministra, ambasador, kryetarë parlamentesh, biznesmen të ndryshëm e kështu me radhë. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe edhe  Kryetari i Komunës vizitoi shumë shtete, madje disa prej tyre nga disa herë.

Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Ismajl Kurteshi, tha se pas të gjitha këtyre vizitave të personaliteteve në Gjilan dhe para secilës vizitë të kryetarit jashtë vendit, lëshohen deklarata shpresëdhënëse për investimet që do të vijnë, por Gjilani i pritjeve dhe përcjelljeve të shpeshta mbeti një qendër e spektakleve boshe, mbeti në mesin e komunave me më pak investime në Kosovë dhe humbje e madhe shpresës së qytetarëve. “Luta po e vazhdon avazin e vjetër të premtimeve, të spektakleve dhe të arsyetimeve me të cilat ai po e blen kohën, e qytetarët po zhyten në halle të pa përballueshme. Nuk mund të justifikohet me borxhe dhe fjalim tjera boshe e shpesh pompoze, se do bëjmë këtë e atë, por kërkohet veprime konkrete dhe punë të prekshme për qytetarin”, tha Kurteshi.

 

Duke folur për fshehjen e vendeve të lira të punës në sektorin e arsimit, Kurteshi tha se Inspektorati i Arsimit ia ka tërhequr vërejtjen DKA-së për këtë dhe shume shkelje tjera, me kërkesa konkrete, kërkesa konkrete të cilat Komuna nuk i ka respektuar.  por komuna nuk i ka respektuar kërkesat e inspektoratit. “Duke e pas parasysh se marrëdhënia e punës lidhet vetëm përmes konkursit publik, kërkojmë nga DKA , që menjëherë të shpall konkurs për vendet e mbuluara me punëtor të pranuar me kontratë në vepër. Në të kundërtën mos shpallja e vendeve të lira të punës është shkelje ligjore, sikundër që po shihet se kjo mos shpallje e vendeve të punës është edhe tendencë për të rehatuar të punësuarit e deritashëm pa konkurs, që janë kryesisht me baza partiake dhe nepotizëm”, tha në fund Kurteshi.

 

Aktivisti Luan Aliu tha se shumë qytetarë të lagjes Dardania po ankohen nga vendimi i Komunës që rrugën kryesore në këtë lagje e ka bërë njëkatëshe, jo për interes të qytetarëve por për interes të individëve të caktuar. “Qytetarët kërkojnë që menjëherë të anulohet ky vendim, dhe që inspektorët e Komunës të jenë në krye të detyrës ashtu që pronarët e lokaleve në këtë rrugë t’i respektojnë vendimet dhe rregulloret e Komunës, sepse shumë qytetarë qe jetojnë përreth këtyre kafeterive, nuk mund të jetojnë të qetë në shtëpitë e tyre nga zhurma e madhe e këtyre lokaleve”, tha ndër të tjera Luan Aliu. Qytetarët e Dardanisë nuk meritojnë shqetësime dhe dënime, por meritojnë investime kapitale dhe jetë normale e të dinjitetshme.

 

Kurse, aktivisti Shpend Nuhiu foli për vjedhjen përmes njehsorëve të rrymës, dhe theksoi se banorët e Gjilanit po dëmtohen vazhdimisht nga kjo dukuri, njësoj si gjithë qytetarët e Kosovës. “Institucionet e këtij vendi. menjëherë pas konstatimit të hajnisë është dashur së paku ta ndalin këtë dukuri të dëmshme dhe të dënueshme dhe të ndërmarrin masa konfrom dispozitave ligjore, e jo të bëjnë sehir. Qytetarët dhe kompanitë që e paguajnë rrymën rregullisht, kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që ta pengojë dhe ndalojë menjëherë vendosjen e njehsorëve të ri dhe ta detyrojnë kompaninë t’i heq nga përdorimi”, tha Shpend Nuhiu.

 

21 korrik 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Gjilan

Kthehu mbrapa

Shto koment