Komuna e Gjilanit organizoi koncert të madh me Ansamblin Kombëtar “Shota”

28.11.2014 (komentet: 0)

Nën organizimin e Komunës së Gjilanit, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit është mbajtur koncerti festiv me Ansamblin Kombëtar “Shota”, me moton “Valo Flamuri ynë Kombëtarë”, për të shënuar festën e flamurit kombëtar dhe 102 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

 

 

Në këtë mbrëmje muzikore i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryesuesja e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku – Rexhepi, drejtorët e drejtorive komunale dhe përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore.

 

Me këtë rast kryetari Haziri në cilësinë e nikoqirit të kësaj mbrëmjeje, para të pranishmëve ka thënë se sonte në këtë mbrëmje kulturore kujtojmë 70 vjetorin e masakrës së Gjilanit.

 

“Gjilani 70 vjet më parë gjatë Luftës së Dytë Botërore ka pësuar shumë. Sonte dua ta ndaj me ju njërin nga njerëzit, i cili ka bërë shumë për luftën për liri, një luftëtar i cili ka qenë shkaktar i lëvizjes së madhe për të drejtat e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë por kudo që jetojnë ata, pra është fjala për Mulla Idriz Gjilanin, që sonte këtu të pranishëm janë pasardhësit e tij”, ka thënë kryetari Haziri për të vazhduar me thënien epike të Mulla Idriz Gjilanit.

 

“Kemi tre fe, por kemi një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell dhe një zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”.

 

Ndryshe në këtë mbrëmje kryetari i Komunës së Gjilanit nga Ansambli Kombëtar “Shota”, është shpërblyer me mirënjohje për kontributin e dhënë në fushën e kulturës sa ishte Ministër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës.

 

Më pas Ansambli “Shota” ka vazhduar me programin e përgatitur me këngë folklorike dhe valle me karakter kombëtar.

Kthehu mbrapa

Shto koment