Komuna e Gjilanit nderon kolosin e letrave shqipe, Beqir Musliun

11.06.2015 (komentet: 0)

Në kuadër të Ditëve të Lirisë, Komuna e Gjilanit ka nderuar sot kolosin e madh të letrave shqipe, Beqir Musliun, duke bërë homazhe tek varri i tij, në 70-vjetorin e lindjes.

 

 

Në nderim të veprës së Musliut ka qenë nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu me bashkëpunëtorë, sikurse edhe familjarë, miq e bashkëveprimtarë të tij.

 

“Së bashku me bashkëveprimtarë e familjar të shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit, por edhe bashkëpunëtorin e afërt të Ibrahim Rugovës, Beqir Musliun, jemi këtu për ta nderuar veprën kolosale të tij. Ditëlindja e Beqir Musliut korrespondon edhe me lirinë e qytetit të tij. Kryetari Haziri ka shprehur gatishmërinë që sa më shpejt që shkojnë në botim të gjitha veprat dhe dorëshkrimet e Beqir Musliut”, ka thënë me këtë rast nënkryetari Kadriu.

 

Ndërkaq, shkrimtari dhe publicisti Sabit Rrustemi, tha se emri i Beqir Musliut është një mburrje e madhe, jo vetëm për Gjilanin, por edhe për mbarë Kosovën dhe letërsinë shqipe.

 

“Sot është dita e Beqës, realisht ditëlindja e tij e 70-të. Ne mendojmë se edhe sot ai është gjallë në mesin tonë, me gjithë ato veprimtari krijuese që i botoi dhe i la në dorëshkrim. Emri i tij, është një mburrje e madhe, jo vetëm për Gjilanin, por përgjithësisht edhe për Kosovën, për letërsinë shqipe. Një emër që ka nderuar posaçërisht Gjilanin dhe një emër që sot po nderohet prej Gjilanit”, tha Rrustemi.

 

Në ditën e Çlirimit të Gjilanit më 15 qershor, do të shpallet edhe fituesi i çmimit letrar “Beqir Musliu 2015”, i cili jepet çdo vit nga Komuna e Gjilanit.

Kthehu mbrapa

Shto koment