Komuna e Gjilanit ndan nën-grante për 28 zejtarë

23.02.2016 (komentet: 0)

 

 Komuna e Gjilanit ka ndarë sot nën-grante për 28 zejtarë, përmes projektit të financuar nga Komisioni Europian “Valorizimi i tregtisë/zejeve tradicionale dhe potencialeve të ekonomisë sociale në Komunën e Çairit dhe atë të Gjilanit”, i cili implementohet në bashkëpunim me organizatën “Agro-Eko”.

 

Shpërblimet ua kanë ndarë zejtarëve kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, si dhe shefi i Operimeve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock.

“Kur kemi konkurruar në Komisionin  Europian, ne i kemi përzgjedhur zejet për arsye se e kemi parë se ato po shuhen dhe se zejtarët nuk po ripërtrihen shkaku i kushteve jo të mira. Pas nën-granteve që i kemi ndarë sot në projektin e Komisionit Europian, kjo veprimtari do të zhvillohet dhe lus që këto mjete të shfrytëzohen për zhvillim të zejeve tuaja”, u shpreh me këtë rast kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai theksoi se Komuna ka ulë të gjitha llojet e tarifave në pikën zero për zejtarët, duke shtuar se po punohet shumë që ta gjendet një objekt për t’i vendosur të gjitha zejet në mënyrë që të mos paguajnë qira.

Ndërkaq, shefi i Operimeve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha se sot zejtarët gjilanas po marrin një shpërblim të vogël, por shumë të rëndësishëm për zhvillimin e veprimtarive të tyre.

“Është kënaqësi që jam sot këtu, jo vetëm që është përkrahje për zejet, por jam shumë i kënqëur që e kemi një bashkëpunim ndërkufitar shumë të rëndësishëm. Me këtë program, do t’i japim 28 shpërblime për zejtarët, të cilët e kanë marrë një nën-grant të vogël, por të rëndësishëm për ta. Me këtë projekt, do të bëjmë një ndryshim që të zhvillohet mikrobiznesi në të dyja anët e kufirit, pasi banorët e të dyja anëve kanë pasur kryesisht kërkesa të njejta”, tha Stock.

Stock tha se e gëzon fakti se rreth 40 për qind të përfituesve të nën granteve janë gra, derisa ka falënderuar ekipin e projektit për, siç tha, punën e shkëlqyeshme që e kanë bërë.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment