Komuna e Gjilanit dhe donatorët ndërtojnë shtëpinë e shtatë këtë vit për familjet në nevojë

04.07.2015 (komentet: 0)

Me zemërgjerësinë e treguar të donatorit Bekim Emini, nga Gjilani i cili jeton dhe punon në Berlin të Gjermanisë dhe me angazhimin edhe të Komunës së Gjilanit, sot është bërë me shtëpi të re, familja Spahiu nga fshati Kishnapole.

 

 

I pranishëm në këtë ngjarje të solidaritetit ishte edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët e drejtorive komunale.

 

Në emër të Komunës së Gjilanit, kryetari Haziri, këtë gjest human dhe këtë vepër të solidaritetit, për kthim të shpresës në familjen Spahiu të Malësisë së thellë të Kishnapoles, e ka falënderuar familjen Emini dhe donatorin Bekimin.

 

“Falënderoj familjen Emini e cila është donatore e ndërtimit të kësaj shtëpie në malësinë e thellë të Kishnapoles. Sot për këtë familje nëntë anëtarëshe dhe këta fëmijë të vegjël është kthyer gëzim i vërtet. Kështu përditë e më shumë po pasurohet fondi i solidaritetit në Gjilan. Do të mundohemi bashkërisht, të gjithë, që t’i ndihmojmë çdo familjeje. Familje pa kulm mbi kokë ka shumë në Gjilan, prandaj apeloj tek të gjithë njerëzit që kanë mundësitë financiare, të vazhdojnë kontributin në këtë drejtim. Nuk ka vepër më të madhe sot në botë, se sa këta fëmijë të bëhen me shtëpi dhe me kthim të shpresave për të ardhmen e tyre”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri duke shprehur falënderime për familjen e Bekim Eminit.

 

Nazim Emini në emër të vëllait të tij Bekimit, e ka uruar familjen Spahiu për shtëpinë e re dhe për fat dhe shëndet në të ardhmes.

 

“Në emër të vëllaut Bekimit, familjes i uroj për shtëpinë e re. Dashtë zoti tu prij fati gjithë familjes, e në veçanti fëmijëve të kësaj shtëpie, që janë plot vullnet”, tha ndër të tjerash Emini, i cili ka precizuar se janë munduar që të përzgjedhin familjen me gjendjen më të rëndë ekonomiko – sociale.

 

Ndërsa në emër të familjes ka folur Gazmend Spahiu, i cili ka thënë se deri më tani ka jetuar në kushte shumë të rënda dhe pa shtëpi, pasi e njëjta ishte djegur gjatë luftës nga forcat serbe.

 

“Kemi jetuar në kushte shumë të rënda. Shtëpi nuk kemi që nga lufta. Kemi jetuar në shtëpi të të afërmve tanë. Sot jemi më të gëzuar se asnjëherë më parë. Këtij donatori, ne si familje asnjëherë nuk mund t’ia kthejmë këtë që ka bërë për ne, dashtë zoti, të jetë shpërblyes për familjen Emini”, ka thënë në fund të fjalës së tij Gazmend Spahiu.


Ndryshe shtëpia e ndërtuar nga donatori Bekim Emini, është e pajisur edhe me gjithë inventarin e nevojshëm dhe kap vlerën afër 20 mijë euro.

Kthehu mbrapa

Shto koment