Komiteti i Gjeodezisë miraton planin e punës së drejtorisë së linjës

16.03.2015 (komentet: 0)

Komiteti për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë (KGJKP) ka miratuar planin e punës së drejtorisë së linjës, për vitin 2015, të cilin e ka paraqitur drejtori Sadudin Berisha, ndërsa kërkesën e Organizatës së Veteranëve të Luftës, për ndarjen e një parcele komunale, për nevoja të një invalidi të luftës, e ka rekomanduar në Komisionin për strehim social, meqë ligji nuk e lejon dhënien e pronës publike për nevoja të tilla.

 

Sadudin Berisha, drejtor për GJKP, pasi ka bërë një prezantim detaj të planit orientues të punës,   realizimi i të cilit varet nga shumë faktorë, ka thënë se shpreson që dinamikën e punëve të planifikuara, do ta mbyllin me sukses.

Ai e ka nënvizuar çështjen e shpronësimeve, si njërën nga problematikat më serioze, me të cilën ndeshet kjo drejtori gjatë punës së saj në terren.  

Sipas tij, me vendime përfundimtare, obligime për shpronësime në dy vitet e fundit janë mbi 1 milion e 440 mijë euro, ndërkaq me vendime preliminare, janë afër 2 milionë euro obligime për të njëjtin qëllim, që kanë të bëjnë me projektin e lumit Mirusha.

Nevzad Rushiti, kryesues i KGJKP, ka thënë se Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, deri tani ka bërë një punë të mirë dhe u shpreh optimist se do t`i realizojë me suksese edhe detyrat e parapara për vitin 2015, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me projektet e mëdha, siç janë rrugët hyrëse në qytet, me katër krosi.

Sa i përket kërkesës së OVL për ndarjen një trualli për një invalid të luftës nga Kumanova, tani banor i Kosovës, Rushiti ka sqaruar se Komiteti nuk ka të drejtë të bëjë rekomandime që bien në kundërshtim me ligjin mbi dhënien në shfrytëzim të pronës publike, por kjo kërkesë do të adresohet në komisionin për banim social, ku me siguri do të marr përgjigje, ka thënë ai.

Sadudin Berisha, drejtor për Gjeodezi, ka thënë se kujdesi ndaj këtyre kategorive është detyrim, por zgjidhja për këtë rast si dhe rastet e tjera, duhet të bëhet në baza ligjore.  

Kthehu mbrapa

Shto koment