Komiteti i Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor evidenton prioritetet e lokaliteteve

25.07.2016 (komentet: 0)

 Komiteti Konsultativ i Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor (KKEPH) ka mbajtur të hënën një takim me kryetarë të Këshillave lokale, ku ka identifikuar prioritetet e vendbanimeve përkatëse dhe ka premtuar se të gjitha kërkesat do t`i paraqes te kryetari i Komunës, nëpër drejtoritë përkatëse, sipas specifikave të projekteve si dhe në organizatat e ndryshme me të cilat bashkëpunon kjo trupë komunale.

 

Një numër i kryetarëve të Këshillave lokale kanë refuzuar bashkëpunimin me Komitetin, me arsyetim se prioritetet e tyre i kanë paraqitur me kohë, se ato dihen tashmë prej Komunës dhe nuk e kanë parë të nevojshme t`i përsërisin.

Selman Sejdiu, kryesues i KKEPH, e ka cilësuar si mos respekt ndaj tyre sjelljen e disa kryetarëve të Këshillave lokale, të cilët e kanë lëshuar takimin, duke shtuar se ky është problem i tyre dhe jo i yni që jemi takuar për t`i evidentuar prioritetet e lokaliteteve.

Sejdiu ka premtuar se kërkesat e atyre që kanë pasur durimin të rrinë në takim, do t`i paraqes dhe mbështes tek autoritetet komunale.  

Në të vërtet, Musli Matoshi nga Verbica e Kmetocit ka thënë se kjo nuk duhet të kuptohet si injorim i takimit, por ka nënvizuar faktin se kërkesat i kanë paraqitur tashmë në takimin për buxhetin dhe të tjera.

Megjithatë, Shemsedin Elezi nga fshati Zhegër, Musli Matoshi nga Vërbica e Kmetocit, Rashit Sahiti nga Malisheva, Bekim Shala nga Poneshi, Avni Arifi nga Bilinica dhe ndonjë tjetër, i kanë paraqitur nevojat e lokaliteteve të tyre, që kryesisht kishin të bënin me ujësjellës, kanalizime, ndriçim publik dhe të tjera, që në të vërtetë janë edhe prioritetet e Komunës.

Sahiti ka nënvizuar faktin se kjo qeverisje ka bërë shumë punë deri tani, derisa ka kërkuar nga kolegët e tij që kërkesat t`i paraqesin me shkrim, në formë të projekte dhe jo vetëm me fjalë.    

Edhe anëtarët tjerë të KKEPH kanë shprehur keqardhje për mos durimin e disa kryetarëve të këshillave lokale për bashkëbiseduar për prioritetet e qytetarëve në vendbanimet prej nga vijnë ata.  

Përndryshe, Këshillat lokale, ndër të tjera kanë për detyrë kujdesin për planifikim urban dhe rural, kujdesin për furnizim me ujë, rregullimin e kanalizimit, për ofrimin e shërbimeve publike efikase, kujdesin për mbrojtjen lokale të ambientit dhe të tjera.

Bashkëpunimi me organet komunale dhe organizatat tjera, për çështjet me interes  për lokalitetin, është obligim i këshillave lokale.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment