Komiteti i Arsimit kërkon rishqyrtim të kritereve për regjistrim në institucionet parashkollore

29.01.2015 (komentet: 0)

 

Komiteti i Arsimit është njoftuar në takimin e fundit, të kryesuar nga Arben Mehmeti, me sukseset, sfidat dhe problemet në arsim, ndërkohë që ka kërkuar shqyrtimin e kritereve për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore.

 

Drejtori i Arsimit, Nazmi Musa ka vënë në dukje fenomenin e largimit të nxënësve nga shkollat,  pastaj grevat e mësimdhënësve, që janë e drejtë e tyre, por që në të njëjtën kohë cenojnë të drejtat e fëmijëve, problemin e kurseve private, ku mësimdhënësit nuk kanë të drejtë t`i marrin nxënësit e tyre, mos raportimin e mungesave të mësimdhënësve nga drejtorët e shkollave, disa probleme me sistemimin e kuadrove në gjimnaz  dhe çështje të tjera të lidhen me sektorin e arsimit.        

Fehmi Sylejmani (VV) ka shprehur shqetësime ndaj dukurisë së largimit të nxënësve nga shkollat, duke thënë se migrimi jashtë vendit po rrezikon edhe shkollat. Sipas tij, numri i atyre që tashmë i kanë lënë bankat shkollore ka arritur në 250 ose edhe më shumë.

Sa u përket mungesave të mësimdhënësve, ai ka thënë se drejtorët e shkollave nuk duhet t`i fshehin ato, ndërkaq për mungesat e nxënësve të shkollimit fillor, sipas tij, përgjegjës duhet të jenë prindërit.

Leonora Bunjaku-Morina (PDK) ka thënë se gjimnazi ka nënshkruar një marrëveshje për të mos pranuar kuadro të jashtme gjatë pesë viteve të ardhshme, për t`i dhënë përparësi për sistemin kuadrit të brendshëm, shkaku i reformës, që rrezikon t`i lë pa vende pune një numër të mësimdhënësve.

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, thotë se punësimi në shkolla nuk është përgjegjësi e drejtorëve, por e DKA-së. Marrëveshja që ka bërë gjimnazi, nuk është obliguese për mua, madje as e ligjshme, thotë Musa.

Rashit Sahiti (LDK) thotë se kjo situatë është pasojë e reformës në arsim dhe problemi sa i përket tepricës teknologjike do të jetë edhe më i ashpër në shtatorin që vjen.

Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit, thotë se menaxhimi i shkollave, pranimi i kuadrit dhe sistemimi i tij, është përgjegjësi e Drejtorisë së Arsimit, e cila duhet ta bëjë këtë sistemim aty ku ka mundësi.

Kthehu mbrapa

Shto koment