Komiteti i Arsimit kërkon që rregullorja për kurset të respektohet pa përjashtim

13.12.2014 (komentet: 0)

 

Komiteti i Arsimit ka shqyrtuar disa problematika që lidhen me këtë fushë dhe i ka dhënë mbështetje Drejtorisë në veprimet që ka ndërmarrë ditëve të fundit për zbatimin e rregullores komunale, e cila ka të bëjë me ndalimin e kurseve me nxënës, derisa në rastin e mësimdhënëses Shqipe Aliu, i ka rekomanduar që ta trajtojë si tepricë teknologjike, nëse krijohen mundësi për ta sistemuar diku në arsim.

 

 

Sa u përket pyetjeve dhe kërkesave të anëtarëve të Komitetit, kryesuesi i kësaj trupe komunale, Arben Mehmeti, tha se drejtori i Arsimit është përgjigjur me shkrim. Mehmeti tha se KA do të insistojë edhe më tutje që të marrë listën e të punësuarve me kontratë në arsim, sikurse edhe informatën për kriteret e regjistrimit të fëmijëve në çerdhe.

“Ne do t`i trajtojmë të gjitha problematikat e arsimit, të cilat i vlerësojnë si interes të qytetarëve, pavarësisht nëse i pëlqejnë pushtetit ose jo”, ka thënë Mehmeti. 

Duke dhënë përgjigje shtesë në pyetjet e Fehmi Sylejmanit, Leonora Bunjakut, Ajtene Shahiqit, Rashit Sahitit, Florina Zymberit e Shukrije Rapucës, drejtori i Arsimit, Nazmi Musa ka thënë lista e atyre që punojnë në institucionet arsimore, është publike dhe mund të merret edhe nga regjistri i pagave, në secilin institucion arsimor. Edhe vendet e lira të punës janë shpallur dhe janë plotësuar sipas normativit.

Disa drejtorë që nuk janë rizgjedhur, janë kthyer në vendet ku kanë punuar më parë, disa vende janë plotësuar me tepricën teknologjike. Vendet e lira, për shkak pushimeve të mësimdhënëseve që shkojnë në pushim të lindjes, janë plotësuar me kandidatë të cilët, për shkak konkurrencës, nuk kanë mundur të pranohen në shtator dhe kanë qenë në listën e konkursit. 

Pa konkurs nuk është pranuar asnjë mësimdhënës dhe asnjë nuk është jashtë listës se pagave, ka thënë Musa. Edhe përzgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve është bërë në bazë të  ligjit dhe  udhëzimit administrativ. Komisioni i ankesave  nuk ka gjetur shkelje të proceduarve.

Kthehu mbrapa

Shto koment