Komiteti i Arsimit inkurajon autoritetet arsimore të mos lejojnë regjistrimin e nxënësve përtej numrit të planifikuar

15.10.2015 (komentet: 0)

Komiteti i Arsimit (KA), në takimin e fundit, ka diskutuar për problemin e regjistrimit të nxënësve në shkollimin e mesëm dhe ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit respektimin e ligjit dhe kritereve, sikur ka vepruar deri tash, pavarësisht se një numër i nxënësve po vazhdojnë të shkojnë në shkollat ku nuk kanë mundur të regjistrohen, me shpresë se do të pranohen më vonë, ndërkaq në Bujqësi kanë mbetur të pa plotësuara vendet e planifikuara.

 

Arben Mehmeti, kryesues i KA, ka thënë se nuk duhet të ketë lëvizje nga rregullorja dhe kriteret. Mehmeti ka thënë se inspektorët e arsimit kanë konstatuar, pas verifikimit të gjendjes në terren, se në asnjë shkollë nuk është tejkaluar numri i nxënësve të regjistruar. Presion për regjistrim të mëvonshëm ka në mjekësi dhe gjimnaz.

Ndërkaq, sa i përket kërkesës së opozitës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, për gjendjen në arsim, e cila dështoi për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të asamblistëve, Mehmeti ka thënë se në arsim nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.

Mehmeti ka sqaruar se deri më tani kanë mbetur 150 nxënës të paregjistruar në shkollimin e mesëm dhe disa prej tyre vazhdojnë të shkojnë dhunshëm nëpër klasa, pa qenë të regjistruar, ndërkohë që shkolla e Bujqësisë ka nevojë edhe për 40 nxënës, për të formuar numrin e planifikuar të paraleleve.

Problemin e mungesës së nxënësve në këtë shkollë e ka prezantuar edhe drejtori Xhelal Jetishi, i cili ka kërkuar nga autoritet arsimore që të mos lejojnë regjistrimin e nxënësve tjerë në shkollat ku është plotësuar numri.

Sa i përket gjendjes së përgjithshme në arsim, drejtori Nazmi Musa, ka thënë se opozita po përpiqet ta politizojë këtë sektor pa nevojë, duke rikujtuar se po kjo opozitë, që tani gjithçka e bën të zezë, më herët e ka lavdëruar arsimin. Ai ka mohuar që ndonjë nxënës të jetë regjistruar jashtë konkursit dhe jashtë kritereve, në cilindo shkollë qoftë.  

Musa ka thënë se tejkalim të numrit të nxënësve ka pasur në qeverisjen e kaluar, madje janë regjistruar edhe deri 45 nxënës në një klasë, sikurse që ka pasur edhe pranim të numrit të punëtorëve jashtë formulës financiare, duke rikujtuar se vetëm në klasat e para në qytet kanë qenë 12 mësues më tepër.

Shukrije Rapuca (PDK) ka thënë se regjistrimi i nxënësve në shkollimin e mesëm ka shkuar keq qe shumë vite, por ka shtuar se drejtori i Arsimit, nuk duhet të merret me të kaluarën, kurse Leonora Bunjaku (PDK) ka kritikuar pozitën për shmangie nga debati në Kuvend, ku ishte planifikuar të flitej për arsimin.

Fehmi Sylejmani (VV) u tregua kritik ndaj drejtuesve arsimorë, për shumë gjera, ndërsa sa i përket regjistrimit në shkollimin e mesëm, tha se nuk kishte vërejtje. Ai ka thënë se nxënësit që kanë mbetur pa u regjistruar në shkollat ku kanë dëshiruar, ose duhet të orientohen në bujqësi, ose të rrinë në shtëpi. Zgjedhja është e tyre.

Sahit Rashiti (LDK) i ka quajtur të pabaza akuzat e PDK-së, sepse asnjë nxënës nuk është regjistruar përtej numrit të planifikuar. Rashiti ka thënë se nxënësit e paregjistruar nuk duhet të lejohen të futen nëpër shkollat ku ata janë duke vijuar.    

         

     

Kthehu mbrapa

Shto koment